Zeneli po paralajmëron një kthim të furishëm

Prishtinë | 17 Kor 2020 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Reprezentuesi i Kosovës, Arbër Zeneli, që është pjesë e Reimsit, po paralajmëron një kthim të fuqishëm në edicionin e ri, që në Ligue 1 muajin tjetër. Zeneli në miqësoren që Reimsi e luajti të mërkurën ndaj FC Rouen, ka shënuar gol në fitoren me shifrat 3:0. Në këtë takim, Zeneli u inkuadrua në fillim të pjesëlojës së dytë, kurse golin e realizoi në minutën e 80-të. Për Zenelin, ky ishte goli i dytë në po aq miqësore sa i ka zhvilluar Reimsi brenda këtij muaji në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri që nis më 22 gusht në Francë.

Zeneli shënoi gol edhe në fitoren 3:1 të Reimsit ndaj ekipit ESTAC të luajtur më 10 korrik. Në këtë ndeshje ishte titullar dhe luajti 45 minuta, duke shënuar gol në minutën e 12-të. Në total, Zeneli ka luajtur 90 minuta në dy miqësoret e Reimsit dhe në edicionin e ri pritet të jetë njëri prej lojtarëve kyç në ekip. Ndeshjen e parë në edicionin e ri, Reimsi e luan në udhëtim kundër Monacos (23 gusht). Ky rikthim i Zenelit vjen pas një periudhe të vështirë që e pati, duke qëndruar për tetë muaj jashtë fushës shkaku i lëndimit. Në fakt, Zeneli u rikthye në fushë në fillim të këtij viti, por luajti vetëm pak minuta përpara se futbolli të pezullohet dhe pastaj anulohet edicioni 2019/20 në Francë si pasojë e përhapjes së koronavirusit. Zeneli më 29 shkurt u aktivizua për pesë minuta në ndeshjen kundër Monacos derisa në atë kundër Brestit që ishte edhe e fundit për Reimsin para pezullimit, nuk luajti fare. Zeneli e pati lënduar gjurin e këmbës së djathtë në muajin qershor të vitit të shkuar kur u detyrua të largohet nga fusha në minutën e 39-të në ndeshjen eliminatore për “Euro 2020” mes Malit të Zi dhe Kosovës. Shkaku i këtij lëndimi, Zeneli i mungoi Reimsit për pjesën më të madhe të edicionit të fundit derisa Kosovës në shtatë ndeshje, ku gjashtë prej tyre ishin të vlefshme për kualifikimet e “Euro 2020”. Zeneli deri para lëndimit ishte njëri prej lojtarëve kryesorë te Kosova. E kthimi i Zenelit dhe forma e mirë e tij që ka shfaqur në miqësoret e fundit është një sinjal fantastik edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, ka pranuar ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti.

Të ngjashme