Bordi i Përkohshëm i Telekomit njofton se në mbledhjen e fundit ka miratuar kërkesën për dorëheqje të ushtruesit të detyrës së zyrtarit kryesor të Financave dhe Thesarit, Feim Kelmendi.
Po ashtu, sipas njoftimit, përcjell Telegrafi, ushtruesja e detyrës së kryeshefes ekzekutive, Burbuqe Hana ka njoftuar se jep dorëheqje nga kjo pozitë.
Bordi njofton se deri në publikimin e konkursit, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv është caktuar Zeqir Kiqina.
Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se ka pranuar me shqetësim veprimet e Bordit të Telekomit.
Hoti thotë se Qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm institucionalë për të siguruar kushte për rimëkëmbjen e ndërmarrjes.
Ndërsa, mbrëmë Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ka njoftuar se ka shkëputur të gjitha marrëdhëniet me Bordin e përkohshëm të Telekomit dhe se nuk e njeh atë si bord.
FSP-PTK njofton se këtë vendim e ka marrë për shkak të siç thuhet, veprimeve të papërgjegjshme dhe në dëm të interesave të Telekomit. Me ç’rast i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shkarkimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve dhe caktimin e një bordi tjetër të përkohshëm.