Sindikata e Policisë së Kosovës e ka dorëzuar këtë të martë në Kuvendin e Kosovës peticionin ku theksohen pakënaqësitë e Policisë së Kosovës.
Imer Zeqiri, kryetar i sindikatës, ka sqaruar se janë mbi gjysma e punonjësve që e kanë vënë vulën në këtë peticion.
Janë mbi 62 përqind që e kanë nënshkruar. Peticioni nuk ka mundur të shkojë nëpër të gjitha njësitë për arsye se ato kanë qenë nëpër plane operative, ngase numri do të ishte më i lartë”, është shprehur Zeqiri në Info Magazine në Klan Kosova.
“Është dashur që pakënaqësitë të paraqiten me këtë peticion. Arsyeja kryesore ka qenë që ta sheh opinioni dhe të gjitha organet shtetërore që shumica e punonjësve – për të mos thënë të gjithë, pra mbi 90 përqind janë të pakënaqur me kushtet në të cilat punojnë”.
Zeqiri ka përmendur se shtesat e rrezikshmërisë tash e gjashtë muaj vazhdojnë të mos u dalin zyrtarëve policorë, derisa ka thënë se me ligjin e ri të pagave ka pasur zvogëlim të rrogave ndër ta.