Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Sokol Havolli. po merr pjesë në konferencën vjetore të organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science) me temën: Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri”.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Zëvendësguvernatori Havolli prezantoi zhvillimet aktuale në sistemin financiar të Kosovës në përgjithësi dhe në veçanti zhvillimet në sistemin bankar, të cilat po karakterizohen me qëndrueshmëri të lartë, rritje të financimit për ekonominë e vendit dhe përmirësim të kushteve për qasje në financa.
Me këtë rast, Zëvendësguverntori Havolli elaboroi mbi rrugën që ka ndjekur BQK-ja për të ndërtuar një sistem financiar bashkëkohor, stabil dhe me rritje të vazhdueshme, si dhe mbi angazhimet shumëdimensionale që po bën për ta mbështetur zhvillimin e mëtejmë dhe të qëndrueshëm të këtij sektori, si dhe rritjen e mëtejme të rolit të tij në funksion të mbështetjes së zhvillimit dhe stabilitetit të ekonomisë së vendit.
Zëvendësguvernatori Havolli theksoi nevojën për rritje të mëtutjeshme të bashkëpunimit ndërmjet bankave qendrore dhe autoriteteve rregullative financiare ndërkombëtare si mënyrë për avancimin e përbashkët të kapaciteteve të nevojshme për të përballuar në mënyrë sa më efektive sfidat rreth ruajtjes së stabilitetit financiar.
Kjo konferencë vjetore është organizuar në katër sesione.
Sesioni i parë i konferencës trajton elementet kyçe për “normalitetin e ri” të politikës monetare dhe bankingun qendror në ekonomitë e zhvilluara, si dhe do të vlerësojë rrjedhojat e tyre.
Në fokus do të jenë gjithashtu edhe ekonomitë e vogla në zhvillim dhe të angazhuara në procese integruese në “sferën e politikave” të BQE-së.
Në sesionin e dytë, diskutimet do të fokusohen në përvojat dhe mësimet e nxjerra nga disa vende në zhvillim për koherencën dhe komplementaritetin në peizazhin e ri të stabilitetit dhe domosdoshmërinë për bashkëpunimin e autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve pritëse me ato të vendeve joanëtare të BE-së.
Sesioni i tretë prek efektshmërinë e ndërhyrjeve rregulluese në periudhën pas krizës dhe ndikimin transformues të fintech-ut mbi sistemin financiar, ekonominë në përgjithësi dhe përfshirjen financiare, si dhe trajton çështjen se si kuadri rregullator dhe ai i politikës monetare mund të jenë të përgatitur për këtë “botë të re”.
Ndërkaq, sesioni i katërt do të përqendrohen kryesisht në sfidat kryesore për ekonomitë e vogla në këtë “normalitet të ri” dhe përgjigjet që mund të vijnë nga bankat qendrore dhe autoritetet.
Në këtë konferencë, përveç Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Zëvendësguvernatorit të BQK-së, Sokol Havolli, po marrin pjesë edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Islandës, Már Gudmundsson, Zëvendësguvernatorja e Bankës Kombëtare të Kroacisë, Sandra Švaljek dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, Senad Softić.
Po ashtu, në konferencë po marrin pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i ekonomistëve të shquar nga institutucione të ndryshme akademike dhe financiare ndërkombëtare.