Zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache mbërrin sot për bisedime në Beograd, në mesin e furtunës së reagimeve që shkaktoi një citim i tij për Kosovën këtë fundjavë.
Gazeta proqeveritare serbe, “Politika” pretendonte se Strache është shprehur se “Kosova është padyshim pjesë e Serbisë”.
Deklarata bie ndesh me politikën e deritanishme të Austrisë, një ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën, e ka shkaktuar debate të mëdha si jashtë, ashtu edhe brenda kufijve austriakë.
Anëtari i partisë konservatore “ÖVP”, Othmar Karas reagoi me zemërim pas lajmit të intervistës, duke e cilësuar këtë “një sulm të ri kundër rendit të paqes në Ballkan”, i cili e trondit dhe e lë pa fjalë.
Edhe Claudia Gamon, nga liberalët e rinj, foli me tone kritike sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA.
“Zëvendëskancelari dhe partia e tij nuk heqin dorë nga fitilat në Ballkan”, ishte komenti i saj.
Ndërsa Lëvizja Paneuropiane e Austrisë thekson se i ka ndjekur “me tundje të fortë koke” thëniet e Straches, të cilit “dukshëm i kanë shpëtuar zhvillimet e kohëve të fundit në Ballkan”.
Por deri më tani nuk është folur për një regjistrim audio të intervistës dhe vet zëdhënësi i Straches, Martin Glier pretendon se zëvendëskancelari nuk e ka dhënë këtë intervistë. Situata e krijuar detyroi Ambasadën e Austrisë në Kosovë të reagojë përmes Twitter-it e të garantojë se nuk ka ndryshim të qëndrimit të Vjenës për Kosovën.
Po gjatë fundjavës, mediat serbe pretendonin se ka përpjekje për ta kthyer njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Çekia, por Ministria e Jashtme kosovare këmbëngul se informacionet për tërheqjen e njohjeve janë propagandë e Serbisë.