Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Kosovë, Kreshnik Ahmeti ka reaguar lidhur me arrestimin dramatik të gazetarit bjellorus Roman Protasevich. Ai tha se janë të shqetësuar lidhur me këto zhvillime, raporton Gazeta Express.
Ahmeti e ka cilësuar luftë të diktaturës bjelloruse kundër lirisë së fjalës arrestimin e gazetarit 26-vjeçar.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për devijimin e fluturimit Athinë-Vilnius për në Bjellorusi për ta arrestuar gazetarin Roman Protasevich. Përveç rrezikimit të lëvizjes së lirë në Evropë, ajo përfaqëson një luftë të gjatë të diktaturës bjelloruse kundër lirisë së fjalës, e cila duhet të marrë fund tani”, shkroi Ahmeti.
Fluturimi ishte drejtuar nga Greqia për në Lituani kur avioni u detyrua ta ndryshonte drejtimin për në kryeqytetin Bjellorus, Minsk të dielën në mënyrë që autoritetet atje të mund ta arrestonin gazetarin disident Roman Protasevich, 26 vjeç.
Piloti njoftoi devijimin emergjent, por nuk dha detaje.
Vendet perëndimore e kanë dënuar veprimin e Bjellorusisë për devijimin e avionit për ta arrestuar gazetarin.
Media shtetërore në Bjellorusi tha se presidenti Alexander Lukashenko kishte dhënë personalisht urdhrin për arrestimin e gazetarit.
Incidenti shkaktoi reagime të ashpra nga i gjithë Bashkimi Evropian, me vendet perëndimore që kërkuan lirimin e menjëhershëm të gazetarit Protasevich dhe duke kërkuar hetim të plotë për ngjarjen.