Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi priti në takim ambasadorin jorezident të Kanadasë për Kosovë, Alan Bowman

Prishtinë | 16 Mar 2022 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadori jorezident i Kanadasë për Kosovë, Alan Bowman, u takuan sot për të diskutuar mbi mundësitë për intensifikimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Në takim u bisedua mbi situatën në Kosovë në lidhje me menaxhimin e pandemisë, ku zëvendëskryeministri Bislimi foli për uljen e ndjeshme të numrit të rasteve aktive të infektuara nga virusi Covid-19 si dhe ecurinë pozitive të vaksinimit në vend.

Ambasadori Bowman, i cili është ambasador rezident në Zagreb të Kroacisë, fillimisht e falënderoi zëvendëskryeministrin Bislimi për mikpritjen dhe theksoi se Kanadaja do të vazhdojë përkushtimin e saj ndaj Kosovës, si dhe është e hapur për bashkëpunime të mundshme në fusha të ndryshme me interes dypalësh. Në këtë aspekt u trajtua rëndësia e bashkëpunimit ekonomik dhe mundësitë e tërheqjes së investimeve në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Bislimi vlerësoi interesin për rritjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve dhe potencoi angazhimin për thellimin e marrëdhënieve bilaterale. Gjithashtu shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugëtimin e saj dhe objektivat strategjike si integrimi dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, NATO si dhe liberalizimi i vizave. Më tej, u veçuan tё arriturat e Republikës së Kosovës në luftën kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, në barazinë gjinore dhe reciprocitetin e të drejtave të pakicave si parakushte për marrëdhënie dhe bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme