Zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për Grantin e Përformancës Komunale

Prishtinë | 23 Maj 2022 | 16:56 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për Grantin e Përformancës Komunale. Ceremonia u organizua nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Qeverinë e Zvicrës, Qeverinë e Suedisë dhe Qeverinë e Norvegjisë. Në këtë ceremoni u ndanë rreth 8 milionë euro për Grantin e Përformancës Komunale.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi rëndësinë e procesit të decentralizimit e cila i mundëson komunave të jenë më afër me qytetarët dhe të ofrojnë ekzaktësisht ato shërbime që më së miri reflektojnë nevojat e banorëve të komunave. Krahas mundësisë që komunat të vendosin për llojin e shërbimeve që ofrojnë dhe peshën e tyre brenda spektrit që përfaqësojnë, komunat duhet të jenë përgjegjëse edhe për mirëmbajtjen e standardeve të caktuara.

Qeveria përkujdeset për minimumin e standardeve që duhet të zotërojë secila komunë, të deleguara nga niveli qendror, që i përkasin zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, turizmit lokal, mirëmbajtjes e shumë të tjera. Zëvendëskryeministri Bislimi potencoi seriozitetin e Qeverisë ndaj forcimit të administrimit në nivel lokal, e cila reflektohet edhe në Grantin e Përformancës ku i kemi 4 objektiva: siguri, qëndrueshmëri, parimi i mosdiskriminimit dhe barazisë së plotë dhe transparenca në përzgjedhjen e komunave që përfitojnë nga Granti i Përformancës.

Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi falënderoi bashkëpunëtorët e organizimit të Grantit të Përformancës, Bashkimin Evropian, si dhe shtetet partnere dhe mike si Zvicra, Suedia dhe Norvegjia, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj MAPL dhe komunave të Kosovës dhe përgëzoi komunat përfituese të Grantit duke i uruar sukses në ofrimin e shërbimeve publike në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimet që meritojnë.​



Të ngjashme