Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur dje në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesin Special të BE-së, ambasadorin Tomáš Szunyog.
Ambasadori Szunyog e uroi Zëvendëskryeministrin për marrjen e detyrës dhe Zëvendëskryeministri Bislimi ia shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për angazhimin e zyrës së BE-së në Kosovë.
Gjate këtij takimi Ambasadori Szunyog pati rastin të informojë më shumë Zëvendëskryeministrin Bislimi rreth statusit dhe gjendjes së disa prej projekteve tashmë të negociuara, disa prej tyre të cilat kanë mbetur në proces, dhe mundësive që ofrohen nga ana e BE-së. Në anën tjetër Zëvendëskryeministri Bislimi, duke ndarë mendim me Ambasadorin në lidhje me punët që duhet të realizohen, shprehu shqetësimin e tij dhe të Qeverisë në lidhje me gjendjen aktuale nga pandemia COVID-19 duke kërkuar mbështetjen e Zyrës së BE-së për përmirësimin e situatës me pandeminë COVID-19.
Në fund të takimit të dy falënderuan njëri-tjetrin për kohën dhe angazhimin, duke u pajtuar që të vazhdojnë komunikimin e ndërsjellë.