Zëvendëskryeministri i Parë, Besnik Tahiri, ka thënë se ka marrë përkrahje nga Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder, të cilën e ka takuar në Vjenë.
Ka thënë se Banka Botërore ka shprehur gatishmëri të ndihmojë Kosovën në disa fusha përfshirë infrastrukrurën dhe bizneset e vogla dhe të mesme që pësuan nga pandemia.
“Sot, së bashku me Ambasadorin Lulzim Pllana, në Vjenë të Austrisë takova znj. Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor me të cilën diskutuam partneritetin e Qeverisë së Kosovës me Bankën Botërore. U dakorduam që të punojmë së bashku në procesin e reformave, duke thelluar bashkëpunimin tonë për të shtyrë përpara reformat në administratën shtetërore, Ligjin e Qeverisë, atë të Inspeksioneve, të Pagave në Sektorin Publik, Financave Lokale dhe Programin për Reduktimin e Barrës Administrative”, ka njoftuar Tahiri, në një reagim në FB.
“Nga znj. Van Gelder, u njoftova për ndihmat financiare që do të vijnë nga Banka Botërore, si në programe zhvillimire dhe infrastrukturore, ashtu edhe për programin që do të ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme. Po ashtu, folem edhe për vizitën që ekipi i qeverisë i kryesuar nga Ministrja e Financave do ta ketë në SHBA”, ka shtuar ai.