Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, në kuadër të konsultimeve politike, ka pritur sot në takim delegacionin nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Sllovenisë, të kryesuar nga Marko Štucin, Sekretar i Shtetit.
Zëvendësministri Ahmeti, e ka njoftuar fillimisht delegacionin slloven për progresin që shteti i Kosovës ka arritur në dy vitet e fundit, duke përmendur reformat në sistemin e drejtësisë, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe në lirinë e mediave.
Të gjitha këto arritje, zëvendësministri Ahmeti tha se janë vlerësuar edhe nga raportet e ndryshme të pavarura ndërkombëtare.
Në takim u diskutua gjithashtu për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Sllovenisë, zhvillimet e fundit politike në rajonin e Evropës Juglindore dhe për agresionin e paprovokuar të Federatës Ruse mbi shtetin e Ukrainës.
Duke e njoftuar për hapat e rëndësishëm që Republika e Kosovës ka bërë në politikën e jashtme, si aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, zëvendësministri Ahmeti ka shprehur falënderimet e shtetit të Kosovës për përkrahjen e pa rezervë që Sllovenia ia ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset që lidhen me integrimet euroatlantike.