Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli ka vizituar Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), ku u prit nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, z. Shefki Avdullahi, së bashku me stafin e tij.
Gjatë takimit, duke pasur parasysh se jemi në sezonin e verës dhe temperaturat janë shumë të larta, u konstatua se deri më tani, fatmirësisht, situata me zjarret është e qetë. Megjithatë, me rritjen e temperaturave rritet edhe rreziku nga zjarret, prandaj u kërkua vigjilencë dhe gatishmëri e shtuar e ekipeve të zjarrfikjes, si dhe bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional, veçanërisht me komunat.
Në këtë takim u vlerësua se ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve mbetet djegia e hamulloreve, një praktikë e papërgjegjshme që rrezikon jetën e qytetarëve, pronën dhe mjedisin. Për këtë arsye, bashkëbiseduesit theksuan se inspektorët e AME-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do ta monitorojnë me vëmendje të shtuar këtë fenomen dhe do të ndërmarrin masa të rrepta ndaj çdo keqbërësi, qoftë ai që vepron me dashje apo nga neglizhenca.
Zëvendësministri Dugolli u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, ta ruajnë mjedisin dhe të bashkëpunojnë me institucionet, duke raportuar me kohë çdo rast që mund të paraqesë rrezik për shpërthimin ose përhapjen e zjarreve.