Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për medie ka folur edhe për kushtet në Qendrën e Studentëve, raporton Ekonomia Online. Vitia ka thënë se QS-ja ka qenë opsionin më i përshtatshëm për tu shpallë si hapësirë karantinimi. Ai ka thënë që nga sot karantinën e menaxhon zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku.
“Sa i përket kushteve në Qendrën e Studentëve sic e dini edhe ju nga të gjitha opsionet që kanë qenë për karantina e vetmja ka qenë Qendra e Studentëve e cila ka mundur të rregulluar në mënyrën se si është, për të plotësuar kushtet minimale për karantinimin e të gjithë bashkatdhetarëve që do të vijnë. Kushtet ideale nuk janë. Kemi marrë disa ankesa dhe menjëherë kemi vepruar. Sot zëvendësministri Izet Sadiku është caktuar që ta menaxhojë komplet Qendrën e Studentëve dhe besoj se me menaxhimin e dr.Sadikut edhe këto kushte do të përmirësohen por edhe qytetarët do të kenë ku t’i adresojnë”, tha Vitia.
Të gjithë ata që vijnë për shkak të rrezikut duhet të qëndrojnë në QS në karantinë.
Vitia ka thënë se nuk ka arsye për shalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Janë mbi 500 shtretër të gatshme, është mundësia që edhe 500 të tjerë të bëhen për një kohë shumë të shkurtër. Janë spitalet private qe kanë garantuar dhe lëshuar kapacitetet e tyre. Deri tani as 1 për qind e kapaciteteve, nuk janë duke u shfrytëzuar. Nëse del situata jashtë kontrollit dhe kur këto mekanzima s’kanë mundësi ta përballojnë këtë situatë, vet do kërkojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Deri tani nuk kemi arsye për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.”, tha Vitia.
Ministri Vitia ka treguar se janë porosit 7 mijë teste të reja. Ai tha se qytetarët nuk duhet të dalin pa pasur ndonjë domosdoshmëri.
“Ju bëj thirrje të qëndroni në shtëpi. Nëse dilni jo më shumë se dy persona dhe duke ruajtur distancën 1 metër. Apeloj që t’i ndiqni rekomandimet.”, tha Vitia.