Zëvendës-ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Rejhan Vuniqi, po qëndron për një vizitë zyrtare në Austri.
Në kuadër të kësaj vizite, Zëvendës-Ministrja, Vuniqi, fillimisht është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, Johannes Peterlik.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi, është diskutuar mbi procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe rolin e shtetit austriak, në cilësinë e kryesuesit të Presidencës së Këshillit të BE-së; procesin e dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe mbështetur nga ShBA; taksën e fundit të vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe çështje të tjera të interesit dypalësh.
Zëvendësministrja, Vuniqi, ka qenë e shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sami Ukelli, Drejtoresha për Evropë dhe BE në Ministrisë e Jashtme të Republikës së Kosovës, Ambasadorja, Shkendije Sherifi, dhe Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie Rajonale, Ambasadori, Valdet Sadiku.