Zgjatet afati i regjistrimit të popullsisë deri më 24 maj, diaspora deri më 31 gusht

Prishtinë | 18 Maj 2024 | 12:06 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave të Kosovës pwrmes një komunikate ka bërë publik planin e veprimit për periudhën e regjistrimit shtesë nga data 18-24 Maj 2024.

‘Agjencia e Statistikave së Kosovës (ASK) falënderon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që me pjesëmarrjen e tyre gjatë këtyre javëve bashkëpunuan afër me regjistruesit për një projekt të tillë madhor dhe të rëndësishëm për Kosovën.

Një falënderim i veçantë dhe meritor për regjistruesit dhe mbikëqyrësit për punën e tyre si persona kontaktues me qytetarët, përfaqësuesit nga komunat e Kosovës, Komisionin Qendror të Regjistrimit, grupin punues për siguri kibernetike, Policinë e Kosovës, institucionet e tjera qeveritare dhe jo qeveritare, partitë politike pa dallim që mbështetën projektin e Regjistrimit të Popullsisë, Qeverinë e Kosovës, Kuvendin e Kosovës dhe Zyren e Presidencës”.

Mbështetje ofruan edhe institucionet ndërkombëtare përfshirë: Eurostat, UNECE, UNFPA dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë, të cilat dhanë kontribut të çmuar duke mbështetur projektin e Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) si nga ana profesionale, teknike dhe financiare.

Meqenëse Regjistrimi i Popullsisë në terren, sipas Vendimin të Qeverisë të datës 21 nëntor 2023 ishte deri më 17 Maj 2024, bazuar në kërkesat e disa komunave dhe duke u bazuar në sistemin monitorues që ka ngritur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për ta monitoruar ecurinë e procesit, vlerësuam se mund të ketë individë, ekonomi familjare ose edhe ata që kanë refuzuar (për momentin) dhe kërkuam nga Qeveria një shtyrje të afatit të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) deri më 24 Maj 2024 që është aprovuar nga ana e Qeverisë.

Gjatë kësaj periudhe, regjistrimi do të bëhet në çdo zonë regjistruese (fshat e komunë) të Kosovës.

Regjistrimi i Popullsisë (ReKos2024) për periudhën 18 – 24 Maj 2024

Gjatë periudhës 18-24 maj 2024, regjistrimi (intervistat) do të zhvillohen vetëm nga stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (mbi 250 regjistrueseve mobilë) që do ta mbulojnë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet ndonjë individ ose ekonomi familjarë që për cilëndo arsye nuk kanë mundur të regjistrohen më parë. Pra, regjistruesit do të vijnë në ekonomitë familjare kur kërkohet nga qytetarët.

Regjistrimi gjatë kësaj periudhe nuk do zhvillohet me regjistruesit aktualë nga komunat përkatëse, pasi atyre iu skadon kontrata/marrëveshja në javën që vjen (25.05.2024) dhe gjatë kësaj periudhe ata kanë aktivitete të tjera, si: kontrollimi i intervistave të realizuara, dorëzimi i pajisjeve dhe materialeve të tjera.

Ekipet mobile të ASK-së, varësisht prej zonës dhe distancës, do t’i vizitojnë ato ekonomi familjare për t’i zhvilluar intervistat.

Ekonomitë familjare do të regjistrohen vetëm nëse ka thirrje (kërkesë) për t’u regjistruar. Intervistat zhvillohen nga ora 09:00 – 19:30.

Ky është një rast që duhet shfrytëzuar nga të gjithë qytetarët që nuk janë regjistruar në kohë, sepse një mundësi e tillë shtesë nënkupton që të mos ketë ankesa më pas për mos-regjistrim. Kërkohet nga qytetarët që të jenë të vëmendshëm që mos ta lënë momentin ose orët e fundit, pasi aspekti kohor mund të mos jetë i mjaftueshëm (thirrjet për t’u regjistruar pranohen deri më datë 24 maj, ora 15:00) derisa ekipet mobile mund t’i zhvillojnë intervistat deri në orën 19:30, të datës 24 maj 2024.

Komunave iu bëhet thirrje që nëse kanë raste ku ende nuk janë regjistruar qytetarët nga komunat e tyre, t’i inkurajojnë ata që t’i kontaktojnë zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (11 numra të telefonit janë në dispozicion). Zyrtarët e ASK-së do të jenë të gatshëm të shkojnë në çdo shtëpi/banesë për t’i zhvilluar intervistat.

Meqenëse ka pasur sfida në përzgjedhjen e regjistrueseve në 4 komunat e Veriut dhe për shkak të daljes në terren me vonesë në ato komuna, gjatë kësaj periudhe (18-24 maj 2024) do të ketë numër të mjaftueshëm të regjistrueseve, si dhe do të jenë të hapura Qendrat për Regjistrim në komunat e Veriut, që është një rast ku komuniteti serb në ato komuna të ketë mundësi të regjistrohet.

Të ngjashme