Zgjatja e orarit të punës për disa sektorë po mirëpritet, kjo sipas përfaqësuesit të sektorit të hotelerisë dhe ekspertit të ekonomisë, ka ardhur në momentin e duhur pasi numri i mërgimtarëve që po kalojnë pushimet në Kosovë është i lartë në këtë periudhë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, në një bisedë me Ekonomia Online, tha se interesimi i madh i qytetarëve për të organizuar ahengje familjare, po vazhdon edhe tani.
Sipas tij, tani me ardhjen e mërgimtarëve janë rritur kërkesat, dhe gjendja në këtë sektor është më e mirë.
“Ardhja e mërgimtarëve është një infuzion i madh, prandaj ata janë shumë të mirëseardhur këtu, po ashtu edhe kemi përshëndet dehe shtimin e buxhetit prej 220 në 400 e diçka milionë. Por unë kërkojë si kryetar t Odës që sa më parë të shpërndahen për arsye se për m’i funksionalizuar këtu hotele dhe këtë veprimtari duhen mjete. P.sh një pishinë me lëshua rreth 20 mijë euro kushton”.
Mirëpo, Sogojeva ka kritika për punën e inspektoratit, që sipas tij që nga ndryshimi i masave, këta zyrtarë i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, raporton Ekonomia Online.
Megjithatë, Sogojeva ka një kërkesë për Qeverinë. Ai kërkon që ekzekutivi të fillojë sa më shpejt shpërndarjen e mjeteve të pakos për ringjallje ekonomike.
“E para është plotësua një kërkesë ë kamotshme, pas masave që i patëm të parafundit. Kështu që ne ia arritëm bashkëpunim me MSh-në që ta sjellim këtë vendim, dhe ne jemi shumë të kënaqur me këtë vendim, pavarësisht që e mira nuk ka kufi, por megjithatë me pandeminë që e kemi është mirë. Kemi informacione që gjithçka është duke shkuar mirë, edhe ahengjet. Në bazë të asaj që ka shumë interesime po na shkruajnë, e po na thirrin, edhe interesimi është shumë i madh”.
“Vendimi është shumë i qartë, prandaj unë apeloj shumë tek ministrat përkatës të ndikojnë te Inspektorati pasi janë duke i kalua kompetencat. Shfrytëzoj që të mos i kalojnë kompetencat, por të punojnë vetëm sipas rregullave. Kemi informacione që dy ditë e fundit i kanë kalua kompetencat, pra mos të ndodhë që të bëjmë reagime pa nevojë”.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Erton Bega, po ashtu e cilëson si shumë të rëndësishme ndikimin e mërgimtarëve në vendin tonë, e sidomos pas një vështirësie ekonomike nga pandemia.
Tutje, ai thotë se në mënyrë të drejtpërdrejtë vendit tonë, mërgata i sjell të hyra me 2 miliardë euro.
“Mërgimtarët kanë një ndikim jashtëzakonisht në ekonominë e Kosovës, sepse janë shtyllë e ekonomisë sepse më shumë se 20% e bruto produktit vendor është e ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë prej tyre, përmes remitancave që i dërgojnë dhe cilat priten të arrijnë vlerën prej një miliardë eurove këtë vit dhe po ashtu përmes parave që i sjellin të gatshme, që vlerësohen të jenë në një miliardë euro. Pra në total ndihmojnë në ekonomi me 2 miliardë euro, dhe ardhja e tyre është me rëndësi për ekonominë”, tha Bega.
Mes tjerash ai thekson se ardhja e tyre këtë vit me një fluks tejet të madh i japin një ringjallje ekonomisë në vend, dhe një ndihmë tejet të madhe bizneseve në vend.
“Ardhja e tyre në një fluks tejet të madh, jo duke krahasuar me vitin e kaluar, por një vit më herët do të sjell efekte të shumë anshme pozitive në ekonomi duke qenë që vitin e kaluar në përgjithësi ekonomia ishte e mbyllur dhe me kufizime, ndërsa tash kemi një lehtësim të masave edhe pse nuk ka ardhur në nivelin e duhur, por që kjo do ndihmojë edhe këto biznese që të marrin veten gradualisht dhe të vazhdojnë me investime të tyre. Efektet tjera që do sjellë edhe qarkullim të parave, dhe të ringjallet ekonomia”, theksoi tutje ai.
Si përfundim, Bega tha se është pozitiv vendimi për zgjatjen e orarit të gastronomisë, por e pakuptimtë që të kufizohen ditëve të tjera.
“Është pozitive vendimi që në vikend i kanë zgjatur orarin gastronomisë, por është i pakuptimtë për arsye se i kufizon ditët e tjera, dhe mendoj që ka ardhur momenti që këto kufizime të largohen”, përfundoi ai.