Në shtëpinë e sportit në Prishtinë, klubet aktive të Federatës së Taekwondosë së Kosovës kanë mbajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor.
“Pas problemeve të shumta që mbizotëruan ndër vite në komunitetin e Taekwondosë në Kosovë, sot klubet aktive nën udhëheqjen e këshillit iniciues mbajtën kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor dhe zgjodhën udhëheqësin e re”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Nga 22 delegatë prezent, përfaqësues të 11 klubeve aktive nga 4 regjione zgjodhën për kryetar Gani Krasniqin unanimisht dhe pa kundërkandidat.
Nënkryetar i parë i FTK-së u zgjodh Nuhi Gashi, ndërsa sekretar i përgjithshëm u emërua Enis Qafëleshi.
Gjithashtu u zgjodhën edhe anëtarët e këshillit ekzekutiv të FTK-së duke respektuar statutin dhe të drejtën e barazisë gjinore.
Monitorues të kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor ishin:
Iber Alaj – drejtor i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së,
Shasivar Haxhijaj – Sekretar i përgjithshëm i KOK-ut,
Ramadan Selimi – Anëtar i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut.
Monitoruesit përgëzuan frymën e mirë të Kuvendit dhe mbarëvajtjen ligjore të tij si dhe premtuan mbështetjen e tyre të plotë për të përkrahur udhëheqësin e re.
“Vlen të theksohet se organizimi i këtij kuvendi të jashtëzakonshëm zgjedhor erdhi me një mund të madh të dhënë nga klubet aktive bartëse të Taekwondosë në Kosovë si shkak i thirrjes së MKRS-së dhe KOK-ut për unifikim të klubeve aktive”, thuhet në komunikatë.