Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Belgjikë ka përmbyllur procesin e strukturimit të brendshëm duke zgjedhur kryesinë e re.
Aktivistët e pesë pikave të Lëvizjes në Belgjikë – Anvers, Bruksel, Brugge, Huy dhe Namur – zgjodhën Arben Fetain si Kryetar të Qendrës. Arbeni është këshilltar në fushën e zhvillimit ndërkombëtar me agjenci të ndryshme ndërkombëtare në Bruksel që nga viti 2009. Arbeni kishte punuar në Prishtinë në periudhën 2004-2008 si ekspert i çështjeve evropiane me Programin për Zhvillim të Kombëve te Bashkuara dhe me projekte te Komisionit Evropian. Ai është i diplomuar në shkencë politike nga Université Libre de Bruxelles dhe ka një Master në politika të jashtme të Bashkimit Evropian nga Instituti për Studime Evropiane në Bruksel.
Kryetari i sapozgjedhur falenderoi aktivistët për angazhimin dhe besimin e treguar. Arbeni prezantoi vizionin e Lëvizjes Vetëvendosje për rolin e mërgatës dhe propozoi një sërë prioritetesh në të cilat do duhej të fokusohej Qendra në Belgjikë gjatë javëve dhe muajve në vijim.
Ky tubim zgjedhor u përshëndet nga Ahmet Gjanaj, Deputet në Parlamentin e Brukselit, i cili përgëzoi Lëvizjen për strukturimin e mërgatës në Belgjikë, si një ndihmesë e rëndësishme për faktorizimin e shqiptarëve në këtë shtet dhe në realizimin e të drejtave të tyre në përgjithësi. Ahmet Gjanaj shprehu gatishmërinë e tij për të punuar ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje drejt fuqizimit të komunitetit shqiptar dhe realizimit të synimit përfundimtar, atë të bashkimit kombëtar.
Më pas, Këshilli i Qendrës në mbledhjen e tij konstituive, zgjodhi Kryesinë e Qendrës. Bujar Krasniqi u zgjodh si Nënkryetar i parë, Valon Vuçetaj si Nënkryetar i dytë, Dardan Prebreza si Sekretar Organizativ dhe Erblin Shala si Koordinator i Nënkomiteteve. Kryesues i Këshillit u zgjodh Rediart Cankja, i cili do të ketë Gazmend Fetain si zëvëndës. Anëtarët e tjerë të Kryesisë u zgjodhën: Agon Efendiu, Ilir Morina dhe Urata Hysenaj. Në fund, Këshilli i Qendrës zgjodhi Bujar Krasniqin dhe Mesud Ismailin si delegatë në Këshillin e Përgjithsëm të Lëvizjes Vvetëvendosje.
Ne si Qendër e Lëvizjes Vetëvendosje në Belgjikë, do të angazhohemi maksimalisht në ndalimin e regjimit të instaluar në Kosovë dhe të projekteve të dëmshme të tij siç janë demarkacioni me Malin e Zi dhe “Zajednica”, projekte këto që do minojnë të ardhmen e vendit tonë duke cunguar dhe bosnjëzuar Republikën. Për më tepër, do të angazhohemi që zëri i mërgatës shqiptare në Belgjikë të jetë sa më i unifikuar dhe kësisoji reagimet ndaj padrejtësive të jenë më fuqimplota. Ne gjithashtu do të vazhdojmë angazhimin për krijimin e urave të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Belgjikës, përfshirë në nivelin lokal dhe atë mulitlateral.
Rritja e Lëvizjes Vetëvendosje si në Kosovë ashtu dhe në diasporë është e pandalshme dhe angazhimi ynë duhet të intensifikohet edhe më shumë në mënyrë që ti jepet fund këtij regjimi dhe kësaj klase politike që e ka kapur peng zhvillimin e Kosovës.