Përplasjet brenda Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren rreth zgjedhjes së rektorit po vazhdojnë, duke konfirmuar krizën që po mbretëron prej muajsh në këtë institucion të arsimit të lartë. Mosmarrëveshjet së fundmi janë thelluar edhe sa i përket vendimit të një pjese të Këshillit Drejtues të UPZ-së (KD) për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së rektorit.
Përderisa KD-ja ka njoftuar se ka zgjedhur ushtruesin e detyrës së rektorit, në anën tjetër anëtarë të caktuar të këtij këshilli kanë reaguar ndaj këtij veprimi, të cilin e kanë quajtur arbitrar dhe kanë kërkuar që rasti të hetohet nga organet përgjegjëse, shkruan sot Koha Ditore.
“Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, në mbledhjen e mbajtur të premten më 21.12.2018, ka zgjedhur për ushtrues detyre të rektorit prof. dr. Ismet Temaj. Këtë detyrë Temaj do ta ushtrojë deri në zgjedhjen e rektorit. Në këtë mbledhje KD-ja ka anuluar vendimin e datës 22.05.2018 për zgjedhjen e rektorit”, thuhet në njoftimin e UPZ-së.
Me vendimin e datës 22 maj 2018 të KD-së, Ismet Temaj ishte zgjedhur rektor i UPZ-së. Ky vendim ishte kundërshtuar nga kundërkandidati i tij njëherësh ish-rektori i UPZ-së, Ramë Vataj.