Koalicioni qeverisës në Kosovë po akuzohet për krizë legjitimiteti dhe cenim të rendit kushtetues nga opozita kosovare. Ndërkohë, derisa analistët vlerësojnë se zgjedhjet kanë mbetur mekanizmi i vetëm demokratik, deputetët nga koalicioni qeverisës thonë se ky nuk është momenti i duhur për zgjedhje, shkruan gazeta “Zëri”.
Zgjedhjet e parakohshme po shihen si të domosdoshme në Kosovë. Humbja e legjitimitetit të Qeverisë e cila sipas opozitës gjatë tërë këtij mandati deri më tani i ka imponuar qytetarit projekte jashtëzakonisht të dëmshme nuk mund të tolerohet më.
Për zgjedhje të parakohshme janë edhe analistët politikë, sipas të cilëve, zgjedhjet kanë mbetur si i vetmi mjet demokratik për zgjidhjen e ngërçit politik që është krijuar në vend. Madje sipas tyre, zgjedhjet mund të mbahen qysh në pjesën e parë të vitit 2017.
Të të njëjtit mendim nuk janë deputetët nga koalicioni qeverisës. Ata thonë se ky nuk është momenti më i duhur për zgjedhje pasi që vetëm do të shkaktohej më shumë konfuzion në mesin e qytetarëve. Megjithëkëtë, derisa “lufta” pushtet-opozitë vazhdon, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë pa demaskimin e kufijve dhe pa ushtri të sajën.