LËVIZJA VETËVENDOSJE ! : LVV llogaritet favorite për të fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme të datës 14 shkurt 2021. Edhe subjektet tjera politike , në heshtje janë pajtuar për këtë ndonëse publikisht , që të gjitha deklarojnë se do të jenë fituese. Albin Kurti , Xhingis Kani i LVV tërë potencialin intelektual dhe politik e ka përqëndruar për të siguruar një fitore bindëse , apo siç thotë ai , do t’i sigurojë shumicën e deputetëve shqiptarë e që i bie mbi 50 në mënyrë që ta ketë tërë pushtetin. E ka përpiluar një listë të cilën nuk do të ishte në gjendje ta bëjë as Hiçkoku , Agata Kristi , Spilbergu apo Quentin Tarantino . Në atë listë i gjeni të gjitha profilet politike , parapolitike , intelektuale , konstruktive , destruktive , të qendrës , të majta , të djathta , të deklasuar , të rehabilituar , të hurit e të konopit , deri ta ata të Hamamit të Hyrës. E ka integruar listën e Vjosës , jo për t’u forcuar politikisht por për të fituar në aspektin psikologjik. Po bombardon me shifra , matematikisht të mundshme , logjikisht të pamundshme. Nëse , prej 100 deputetëve shqiptarë deklaroni se do t’i keni 61 atëherë e kemi një fenomen përtej optimizmit. Në planin e luftës psikologjike , Albin Kurti dhe LVV janë të pakonkurrencë. Tash , pas numrit të 61 deputetëve që do t’i fitonte LVV me Listen Anës Vjosës , anës Bunës , disi është krijuar një situatë kur shifra prej 50 deputetëve të LVV po duket thuaja normale, Me 51 deputetë të Vjosës dhe Bunës ( Binit ) , pas një tregëtie me pakicat dhe me , së paku 10 deputetë të AAK-së , ky koalicion pasgjedhor do të merrte tre poste kryesore , Presidentin , kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit. PDK dhe LDK do të mbeteshin në opozitë. Realisht , LVV dhe Lista Vjosa do të dëshironin ta kenë partner LDK-në , të nënshtruar , të fyer , të poshtëruar dhe të qëruar nga Isa Mustafa , Agim Veliut dhe të tjerët e LDK-së që nuk pajtohen me ideologjinë dhe frymën e Haxhi Qamilit , të konvertuar në vendvendosës . Po , jam i bindur se skenari do të jetë ndryshe. Mendoj se LVV me Anës Vjosës i fiton afërsisht 38 % të votave , plus – minus , marzha e gabimit. Po flasë për situatën tani , më vonë edhe mund të ndryshojnë përqindjet. Realisht , si përkrahës i LVV –së , në kohën kur fasulja hahej kokërr për kokërr e që nga ajo kohë ka mbetur vetëm gjysma e akronimit, me sinqeritetin më të madh do të dëshiroja që LVV të fitojë 81 vota shqiptare . Këto janë arsyet :
Këtë e them me sinqeritetin më të madh dhe jo nga dëshira që të dështojnë sikur mund edhe të dëshirojë dikush. Sepse , dështimi do të na kushtonte të gjithëve ndërkaq dështakët e mundshëm do ta gjenin një shtegdalje. Por , sipas analizës sime nuk e shoh këtë zhvillim ; Vjosa Osmani mund të jetë kryetare e Kuvendit , në rastin më të mirë. Nëse LVV i siguron 81 vota e që unë dyshoj shumë ( pa koalicion me një apo dy parti shqiptare ), atëhere tregimi ndryshon ! Nëse LVV nuk i siguron , së paku 45 deputetë , do të ketë problem ta formojë edhe qeverinë. Nëse LVV e udhëheq qeverinë e Kosovës unë do ta përkrah çdo sukses të saj dhe nuk do t’i gëzohem aspak dështimit eventual . Mirëpo , duke e parë përbërjen e Listës së LVV , i kam rezervat dhe dyshimet e sidomos gjuhën përjashtuese që po e përdorin. Shpresoj se ma kalimin e kohës do të ulen në tokën e bukës ndryshe , euforia e pakontrolluar apo edhe e menaxhuar mirë është biletë hyrës për një autokraci personale dhe anarki institucionale. Duket se Albin nuk e ka ndryshuar vetëm pamjen e jashtme . Uroj të jetë ashtu .
LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS : Nuk ishte trajtuar asnjëherë si partner i barabartë nga LVV. Ishte një synim që “ kalaja “ e LDK-së të merret nga brenda , me Vjosa Osmanin e të cilës do t’i bashkangjiteshin pastaj kuadrot e tjera të LDK-së. Realisht , niveli dhe kuadri më i fortë që po e ndjek Vjosën , ditë dhe natë , në shi dhe borë , në furtuna dhe situata të qeta është Haxhi Qamili. Thënë shkurt , largimi i Haxhi Qamilit nga LDK –ë është humbje e madhe , me pasoja katastrofike dhe të pariparueshme për ….Lidhjen Demokratike të Afganistanit . E rëndë , vërtet e rëndë , por vdekja është edhe më e rëndë ! Po të kishte shkuar Vjosa Osmani e vetme në zgjedhje dhe po të regjistrohej si nismë apo parti politike para 4-5 muajsh , jam i sigurt se do ta kalonte pragun zgjedhor , pa asnjë problem. Kështu , mund dhe do të ketë përfitime politike personale për një kohë , në planin afatgjatë do ta pësojë politikisht. Nëse LDK –ë në zgjedhjet e ardhshme shtrihet për toke dhe bjen , sipas disa analistëve dhe nxënësve të Armend Mujës , shembylltyrë e një analisti të pavarur , në 10-12 % të votave e që është vetëm një “ Ëndërr e një nate vere “ e Anës Vjosës ( Vjosa ) dhe anës Bunës ( Bini ) , atëherë Vjosën do ta keni në krye të një LDK –ëje të “ reformuar “. Nuk e besoj , as në imagjinatën më të shëmtuar se LDK –ë bjen nën 20 % të votave. Besoj se do të jetë rreth 23 % të votave, gjykuar sipas Listës për deputetë që e ka ruajtur brumin partiak dhe substancën e LDK-së. Nuk ka parti që është ndarë më shpesh dhe më shumë se LDK-ë e që ka arritur ta ruajë substancën e partisë. LDK-në e kanë dëmtuar Nexhat Daci , Fatmir Sejdiu kurse tani po e vulosë tripletën e ndarjes , Vjosa Osmani. LDK-në e ka shpëtuar historia e saj , struktura e ashtëzuar organizative , anëtarësia e saj dhe thirrja në frymën rugoviste sikur edhe , për së vdekuri , Ibrahim Rugova. LDK –ë ka vota në shtretërit ku ka shumë votues kurse kutia ku merr më së shumti vota është varri i Ibrahim Rugovës. Varrin e Ibrahim Rugovës po e përdorin si kuti votuese edhe Vjosa , Albini dhe Ramushi . LDK-në e ka shpëtuar nga ndarja e madhe dhe mbase edhe nga shkapërderdhja , politikani më pragmatik dhe më i shkathët , për mua , në 6 vitet e fundit , Isa Mustafa. Mund edhe të mos pajtoheni por kjo është bindja ime. Isa Mustafa , përkundër që LVV përdori ndaj tij gjithë arsenalin e dhunës me të cilën disponon gerila urbane në Kosovë , hiç këtu aramatimin e rëndë të FSK-së, përkundër sulmeve ndaj tij dhe familjes së tij , gjeti forcë dhe kurajë t’i tejkalojë të gjitha këto dhe të bëjë koalicion me LVV . Në këto rrethana , askush nuk do të afrohej me LVV-në. Shembja e madhe e LDK-së , për mua do të ishte befasia më e madhe e që nuk e besoj se do të ndodhë! LDK –ë mbetet kandidati më serioz për koalicion me LVV , pas zgjedhjeve nëse AAK nuk i fiton 10 vota e më shumë !
PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS : Është në situatë kur i mungojnë liderët , ai historik siç e quanin Hashim Thaçin dhe Kadri Veseli që nisi të reformojë partinë dhe i cili , me vullnetin më të madh kishte gatishmëri ta shtynte para procesin e vetingut , formimin e një Gjykate Ndërkombëtare për Krimet e Serbisë në Kosovë , Qendrën e Ekzodit sikur edhe Muzeun Memorial . PDK –ë e ka një përparësi sepse është e liruar nga gara apo imperativi për të fituar zgjedhjet. Vërehet një angazhim i madh në terren dhe në diasporë. Ka një numër standard të votuesve i cili nuk lëvizë shumë. Po vërehet përpjekja për një urbanizim politik dhe organizativ të PDK-së si dhe një distancim i lehtë nga e kaluara , në disa raste e shndërruar në folklor politik. Në zgjedhjete fundit , kur të gjithë ishin kundër PDK-së, dhe kur fushata elektorale e partive tjera mbështetej eksluzivisht në diskursin kriminal që i vishej PDK-së , doli relativisht mirë duke fituar 24 mandate. Tash , PDK nuk po sulmohet aq shumë sepse qëllimi dhe kuptimi i sulmeve ndaj PDK-së që personifikohet në Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin janë në Qendrën e Paraburgimit të një Gjykate Raciste në Hagë . Mendoj se nëse PDK –ë arrinë të ruaj votat e zgjedhjeve të fundit apo nëse sillet rreth atyre votave , do të konsiderohej si fituese e zgjedhjeve aq më parë që është goditur shumë dhe që gjasat janë të goditet ende. Sinqersisht besoj se dëmin më të madh PDK-së ia kanë bërë individë të papërgjegjshëm si dhe qëndrimi i gjatë në pushtet. PDK –ë ka nevojë t’i kalojë të gjithë rrathët e Ferrit të Dante Aligerit , të përfundojë në Purgator ku do të spastrohej nga ndotja që ia kanë bërë individë të papërgjegjshëm dhe të korruptuar në mënyrë që ta zë vendin e merituar në skenën politike të Kosovës. PDK –ë ka të kaluar patriotike , anëtarësia ka përmbajtje patriotike dhe është e gatshme që të mbrojë në çdo kohë sakrificën e madhe për liri , çlirim dhe pavarësi të Kosovës. Sa më shpejt që të distancohet PDK nga një e kaluar jo e pastër e disa individëve të saj , aq më shpejt do ta marr veten. Kosova enede nuk e ka përmbyllur çështjen e shtetësisë , as sa i përket ruajtjes së integritetit territorial e as në aspektin e shtrirjes së sovranitetit prandaj Kosova ka nevojë për pjesën patriotike ( Pjesa më e madhe ) të PDK-së.
Nëse nuk ndodhin zhvillime të papritura , PDK jo që do të bjerë në vota por mund të ketë ngritje të lehtë! PDK –ë e ka një përparësi që askujt nuk i vendosë vija të kuqe në ndërkohë që partitë tjera assesi nuk lirohen nga ngjyrosja e vijave të bashkëpunimit me ngjyrë të kuqe ndaj PDK-së. PDK po paguan për mëkatin e bërë nga disa çuna të fortë që janë thirrur në emër të PDK-së dhe të cilët nuk kanë pasur interes tjetër përveç interesit personal. PDK ka nevojë të përforcohet në fushën e komunikimit me publik dhe me media e që deri më tani ishte dheështë Thembra e Akilit e PDK-së. PDK –ë , edhe këtë mandat duhet të refuzojë çdo ofertë për përfshirje në qeveri duke bërë opozitën konstruktive , në dobi të qytetarëve dhe të shtetit.
ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS : Është parti që nëse i fiton mbi 10 deputetë , do të bëhet përcaktuese për formimin e institucioneve të Kosovës sikur që do ta detyrojë Albin Kurtin t’i tregojë kartonin e kuq Vjosa Osmanit për postin e Presidentit. AAK –ë i ka 10-12 anëtarë të partisë që , edhe në kushtet ekstreme do të luftojnë për ta siguruar postin e deputetit. Dhe , në të shumtën e rasteve e arrijnë këtë qëllim. Në kohën kur LVV e ka vetëm një lider që nuk kontestohet , nuk kundërshtohet , nuk zëvendësohet dhe që adhurohet , deri në idololatri por , pa sakrifikuar shumë , AAK i ka dy liderë të tillë , Ramushin dhe Dautin , pa të cilët partia do të ishte një kornizë , pa përmbajtje dhe për të cilët edhe do të sakrifikoheshin , po qe nevoja. Edhe në AAK ka patriotë të devotshëm që e kanë bërë luftën dhe të cilët , përsëri do ta bëjnë , po qe nevoja. AAK e ka më të fuqishëm krahun ushtarak , se ate politik sikur që e ka edhe Anës Vjosës me Fatjon Boletinin e pecëve.
AAK –ë , nëse dalin parashikimet që i kam se, në rastin më të keq do të fitojë 10 deputetë , do ta ketë rolin që e ka LSI e Ilir Metës në Shqipëri. Pa AAK-në nuk do të bëhet asgjë prandaj edhe Ramushi e ka blerë smokingun me flutur , për president , nëse në ndërkohë nuk do të ketë dridhje toke , në Pakistan psh. Apo nëse Donika Gërvalla nuk tërhiqet nga kushti i vënë Albin Kurtit se nuk mund të ketë koalicion me PDK-ë , AAK-ë dhe LDK-ë me Isa Mustafën dhe Agim Veliun. Është me rëndësi të thuhet se asnjë Donikë nuk është ndarë mirë me AAK –në në kohën kur Donika Kadaj , për shumë gjëra është Ajnshtajn për Donika Gërrvallën. Mund edhe të gaboj.