Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, sipas të gjitha gjasave do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Por teorikisht kjo nuk është e domosdoshme.
Pika 5 e Nenit 95 i Kushtetutës së Kosovës, që rregullon Zgjedhjen e Qeverisë e përcakton dorëheqjen e mundshme të kreut të ekzekutivit.
“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thuhet në këtë nen.
Herën e parë kur Haradinaj kishte lënë postin e kryeministrit, në vitin 2005, pas vetëm 100 ditësh udhëheqje, për të shkuar në Hagë si i akuzuar, postin e tij e kishte zënë Bajram Kosumi, që vinte po nga AAK-ja, që kishte koalicion me LDK-në e Ibrahim Rugovës.
Kësisoj, i bie që Thaçi të flasë me Veselin, si bartës i listës së koalicionit PAN, si i pari me vota në zgjedhjet e kaluara, e ku bënte pjesë edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt.
Thaçi, që ka thënë se ka mësuar nga mediat për dorëheqjen e Haradinajt nga kryesimi i Qeverisë, ka thënë se e respekton këtë vendim, e se do të kryejë detyrat e tij që ia përcakton Kushtetuta. Se çka konkretisht e ka ndërmend të bëjë, nuk e ka thënë.
“Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë”, ka thënë Thaçi.
Nga ana tjetër, Haradinaj ka lënë të kuptohet se AAK-ja e tij nuk do të jetë më pjesë e Qeverisë brenda këtij mandati. Edhe teksa e ka lexuar letrën e tij të dorëheqjes në mbledhjen e Qeverisë edhe në prononcimin për media pas mbledhjes së Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të partisë së tij, ka thënë se mandatin do t’ia kthejë popullit.
“Pas kësaj dorëheqjeje, mandatin ia kthej popullit. Sovrani të vendos për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike. I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike”, ka thënë Haradinaj në mbledhjen e tij të fundit si kryeministër.
E gazetarëve që kishin shkuar te selia e AAK-së pas mbledhjes së Kryesisë e Këshillit Drejtues, Haradinaj ua ka përsëritur qëndrimin që vendi duhet të shkojë në zgjedhje që mandati t’i kthehet popullit.
“Presidenti ka kompetencat e veta. I kam propozuar presidentit të shkojë vendi në zgjedhje. Mandati më i sigurt është te populli. Do të ofrohem me pikëpamjet qeverisëse programore për të ardhmen, do ta respektoj vendimin e popullit”, ka shtuar ai.
Kujtojmë se Veseli është në vizitë zyrtare në SHBA, e zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, që ka qenë edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë Haradinaj, ka thënë se do të pritet Veseli që PDK-ja të vendosë për hapat e ardhshëm.
“Ky është një zhvillim serioz për vendin. Pas kthimit nesër nga SHBA-të të kryetarit Kadri Veseli, si PDK do t’i diskutojmë hapat e ardhshëm, të cilat do t’i ndërmarrim në pajtim me interesat madhore dhe të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Në praktikë, duket se PDK-ja do ta ketë të vështirë të bëjë qeverinë me forcat aktuale në Kuvendin e Kosovës. LDK-ja e Vetëvendosje ka kohë që kanë nisur përpjekjet për organizimin e një mocioni për Qeverinë, duke kërkuar zgjedhje të reja, derisa PSD-ja garantonte se do t’i japë nënshkrimet për këtë mocion.