Partitë shqiptare nuk arritën rezultate të kënaqshme në zgjedhjet lokale, të mbajtura të dielën e shkuar në 11 komuna të Malit të Zi.
Të dhënat paraprake tregojnë se shqiptarët nuk do të kenë asnjë përfaqësues në kuvendet vendore të Tivarit dhe Rozhajes, e do të kenë vetëm nga një të tillë në Podgoricë dhe Plavë.
Në kryeqytetin malazez, fitorja absolute i takoi partisë në pushtet, DPS të Milo Gjukanoviqit, me 32 këshilltarë nga 61 që ka gjithsej Kuvendi.
Në këtë komunë, subjektet shqiptare do të përfaqësohen nga “Alternativa shqiptare”, e cila arriti të marrë 1.8% të votave. Po asaj i takon edhe vendi i siguruar në Plavë. DPS-ja korri sukses edhe në Tivar, së bashku me socialdemokratët, ndërsa koalicioni “Shqiptarët për Tivarin” nuk mori veçse 0.8% të votave, gjë që nuk ishte e mjaftueshme për t’u përfaqësuar në këshillin vendor të qytetit.
Në Rozhajë, subjektet shqiptare nuk konkurruan fare. Fitoren atje e rrëmbeu Partia Boshnjake, me mbi 50% të votave. Në shumicën e komunave, DPS-ja e Gjukanoviqt tregoi një performancë të përmirësuar ndjeshëm në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2014.
Rezultati i së dielës, sipas kësaj partie konfirmoi edhe njëherë dominimin e saj në skenën politike të vendit, por edhe angazhimin e elektoratit në rrugën drejt Bashkimit Europian, theksojnë mediat në raportimet e tyre për këtë zhvillim.