Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale. Në lidhje me këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të mbajë një mbledhje për të miratuar afatet dhe planin e aktiviteteve zgjedhore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Ekonomia Online se plani do të përcaktojë saktësisht kohën e zhvillimit të të gjitha aktiviteteve zgjedhore, që përfshijnë aplikimin dhe certifikimin e subjekteve politike, dorëzimin e listave të kandidatëve, regjistrimin e votuesve jashtë vendit dhe të personave me nevoja të veçanta, si dhe periudhën e fushatës zgjedhore.
“Miratimi i afateve dhe i planit të aktiviteteve do të përcaktojë saktësisht fillimin dhe përfundimin e çdo aktiviteti zgjedhor. Këto aktivitete, që ndërlidhen drejtpërdrejt me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, ndër të tjera përfshijnë: aplikimi i subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dorëzimi i listës së kandidatëve; verifikimi i përshtatshmërisë/aftësisë së kandidatëve; deklarimi i partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit; periudha e regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe votimi jashtë Kosovës; periudha për regjistrimin dhe Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VNPV); periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar; periudha për aplikimin dhe akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve dhe mediave; periudha emërimin e trupave zgjedhore (Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e Vendvotimeve) dhe trajnimin e tyre; certifikimi i Listës së Votuesve, e të tjera”, tha Elezi