Zgjedhjet lokale në Shqipëri, KQZ apel partive politike

Prishtinë | 18 Mar 2019 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i bën thirrje partive politike që brenda ditës së hënë të dërgojnë emrat për komisionerët e KZAZ-ve për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një deklaratë për shtyp nga zëdhënsja e këtij institucioni. Sipas saj vonesat cënojnë procesin zgjedhor.

Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj për propozimet për anëtarë të KZAZ-ve.

Data 18 Mars shënon afatin përfundimtar për depozitimin e propozimeve për Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të). Deri tani asnjë nga partitë politike që e gëzojnë këtë të drejtë, nuk ka sjellë pranë KQZ-së propozime për komisionerë të nivelit të dytë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel partive politike që kanë të drejtën të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve që të respektojnë afatin ligjor për depozitimin e kandidaturave në KQZ. KQZ këkon që partitë politike të mos neglizhojnë respektimin e afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve për administratën zgjedhore, sikundër ka ndodhur në çdo proces zgjedhor. Mos respektimi i afatit ligjor tregon mungesë përgjegjshmërie në përmbushjen e detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor.

KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, ndaj kërkon që partitë politike të depozitojnë urgjent propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, brenda ditës së sotme dhe të mos bëhen shkak për cënimin e administrimit të procesit zgjedhor. Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve./tvklan.al

Të ngjashme