Zgjedhjet në PDK, analistët lakojnë emrat e mundshëm si kandidatë për të drejtuar partinë

Prishtinë | 21 Qer 2021 | 22:01 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri me datën 3 korrik.

Në “Debat Plus” analistët kanë parashikuar se në këtë garë do të ketë më shumë kandidatë.

Vehbi Kajtazi thotë se në PDK duhet ta kuptojnë se ka përfunduar periudha e Thaçit dhe Veselit.

“Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj do të jenë në garë për kryetarë të PDK-së. Mund të ketë edhe të tjerë siç është përfolur edhe emir i Gent Cakajt. Edhe Memli Krasniqi është ndër ata që kanë marrë mjaft përkrahje”, ka deklaruar Kajtazi.

Ish- këshilltari i Edita Tahirit, Gazmir Rraci duke komentuar shpalljen e zgjedhjeve në PDK, ka vlerësuar rolin e Enver Hoxhajt.

“Profesor Hoxhaj e ka drejtuar mirë partinë. Pavarësisht se ka pasur mungesë e liderëve të saj, Hoxhaj ka mbajtur PDK-në stabile në vend të dytë. Edhe Vlora Çitaku është kandidate potenciale pasi ka lidhje me strukturën e partisë. Duhet pasur parasysh se ata që vijnë me parashuta në parti jo gjithmonë janë të suksesshëm”, tha Rraci.

Rraci thotë se është mirë që të ketë debat në PDK për të parë vizionin e secilit kandidat për të parë se si do ta rrisin partinë.

Imer Mushkolaj thotë se PDK nuk do ta ketë të lehtë për t’u ndarë nga trashëgimia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Është një test jo vetëm për PDK, por edhe për shumë figura të PDK-së se ku do ta kenë vendin pas këtyre zgjedhjeve”, deklaroi Mushkolaj.

Xhevdet Pozhari ka thënë se kandidat i mundshëm për kryetarë të PDK-së është edhe Bedri Hamza.

“Mendoj se megjithatë Memli Krasniqi mund ta bartte peshën e udhëheqjes së PDK-së. nëse zoti Hamza nuk ka shumë pretendime, atëherë në garë të fortë do të mbetnin zoti Krasniqi dhe zonja Çitaku”, deklaroi Pozhari.

ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri thotë se është e rëndësishme të dihen se çfarë ndryshime programore dhe strukturore për dëshirohen të bëhen në PDK.

Ymeri thotë se PDK nuk duhet të fokusohet më vetëm në bastione.

“PDK më nuk e ka pas kryetarin nga Drenica e as nuk do të jetë parti e dalë nga lufta pasi gjërat po ndryshojnë. Në të ardhmen duhet t’iu drejtohesh shtresave të caktuara shoqërore…Në demokraci fëmija më nuk po I dëgjojnë prindërit për të votuar si ata”, deklaroi Visar Ymeri.

Të ngjashme