Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë korrur sukses në zgjedhjet e nivelit shtetëror.
Demokrati Andy Beshear, shpalli fitoren në zgjedhjet për guvernator të Kentakit, pas një gare të ngushtë, në shtetin me prirje kryesisht konservatore.
Ndërkohë, demokratët morën kontrollin e plotë të organit legjislativ në Virxhinia, për herë të parë në mbi 20 vjet.
Rezultatet shihen si një matës i situatës politike, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Sidoqoftë, republikanët mbajtën pushtetin në zgjedhjet për guvernatorin e Misisipit, pas një gare të ngushtë me demokratët.
Në Kentaki, Beshear pretendoi fitoren ndaj guvernatorit aktual, republikanit Matt Bevin, pasi rezultatet përfundimtare i dhanë një epërsi prej 0.4%.
Bevin, 52-vjeç, ka thënë se nuk do të pranojë rezultatin, duke përmendur disa “parregullsi” të papërcaktuara.
Sidoqoftë, demokrati Beshear, një avokat 41-vjeçar, babai i të cilit ishte ish-guvernator i shtetit, tha: “Ne do të jemi gati për ditën e parë në detyrë, dhe unë mezi po e pres atë”.
Fitorja e tij nuk ka kënaqur aspak presidentin Donald Trump, që tha në një fjalim para mbështetësve të tij se Beshear ishte “shumë ekstrem dhe i rrezikshëm” për të qeverisur shtetin e Kentakit. /tch/