Gjatë vitit të kaluar, 2021, Kosova e kaloi pjesën më të madhe duke organizuar disa procese zgjedhore, fillimisht zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe pastaj dy raundet e zgjedhjeve të rregullta lokale.
Përveç angazhimit të përhershëm në këto procese zgjedhore, pothuajse gjatë tërë vitit, ato kanë pasur edhe koston e tyre në buxhetin e shtetit të Kosovës.
Sipas Zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamanetare dhe lokale të vitit 2021, janë shpenzuar rreth 11 milion euro, raporton Ekonomia Online.
“Në dhjetë nga dymbëdhjetë muajt e vitit të kaluar, KQZ-ja është angazhuar në mënyrë permanente për organizimin e dy proceseve të ndara zgjedhore. Me qëllim të organizimit të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend janë shpenzuar rreth 4.5 milion euro (4,469,764 euro), ndërsa për Zgjedhjet Lokale rreth 6.5 milion euro (6,467,352 euro). Marrë në përgjithësi, janë rreth 11 milion euro (10,937,116 euro) që janë shpenzuar për këto dy procese zgjedhore”, tha Elezi.
Më tej, ai bëri të ditur se pjesa më e madhe e këtyre mjeteve shpenzohen për të paguar me mijëra persona që angazhohen gjatë procesit zgjedhor dhe në faza të ndryshme të tij.
Sipas tij, në Zgjedhjet për Kuvend janë angazhuar rreth 25 mijë persona, ndërsa në dy raundet e Zgjedhjeve Lokale janë angazhuar 37 mijë të tjerë.
“Natyrisht se duke e ditur rëndësinë që zgjedhjet kanë për shtetin dhe demokracinë e tij, ato kanë koston e tyre, për shkak edhe të angazhimit të një numri të madh të personave. Pjesa më e madhe e mjeteve që janë të dedikuara për një proces zgjedhor, shpenzohen për të paguar trupat zgjedhore që angazhohen si dhe stafin e përkohshëm të KQZ-së. Zgjedhjet Lokale kanë kosto më të lartë, pasi duhet të mbahet edhe raundi i dytë i tyre, zakonisht në një numër të madh të komunave”, tha Elezi.
Sipas Elezit, KQZ-ja ka arritur që të përmbushë detyrat kushtetuese dhe ligjore, pavarësisht një barre kaq të madhe në organizimin e dy proceseve zgjedhore brenda vetëm një viti, raporton EO.