Tani ma është e qartë se në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre lokale e që do të mbahen brenda 1 viti, sindikatat e sektorëve të caktuar ose edhe degëve të tyre do të kenë në terrenin e tyre jo një por dy penallti të pastra në raport me skenën politike. Këto penallti këto sindikata që përfaqësojnë personelin arsimor, punëtoret e shërbimit të zjarrfikësve, infermieret, punëtoret e shërbimit korrektues dhe të tjerë do të kërkojnë t’i shfrytëzojnë për të kërkuar rritje të pagave ose në mënyrën tani më të shpikur rritjen e shtesave për tu barazuar me punëtoret shëndetësor dhe policët e Kosovës.
Përkundër që tani buxheti për vitin 2021 është miratuar nga Kuvendi e ku që të gjitha subjektet politike që janë në garë e dinë mirëfilli se ky buxhet nuk mbulon as edhe pagat dhe shtesat aktuale sepse në disa sektor ka mungesa të theksuara buxhetore si për arsim e shëndetësi dhe polici, askush nuk do të dalë kundër kërkesave të tilla pavarësisht që mjete nuk ka të planifikuara sepse si dimë vetëm ne të shpikim do ja bëjmë disi.
Për cilësi e vlera për prosperitet e shkencë, tani askush nuk ja vlen as të flasë e as të mendojë.
Në fund të fundit kjo “Republikë e borxheve” do të bartë edhe një faturë shtesë si ka bartur deri më tani disa të tilla.
Shkollat pa infrastrukturë, rrugët pa infrastrukturë përcjellëse e mirëmbajtje, rrugët e filluara e të pa përfunduara që nga viti i largët 2010, spitalet pa aparatura e barna, fatkeqësitë natyrale të përhershme për shkak të mos investimit në lumenj, këto tani nuk janë më problem sepse me to faktori njeri tani nuk do të merret.
Për të papunët dhe për rinin do të mendojmë si shoqëri kur të vijnë ditë më të mira.