Ministria e Infrastrukturës ka vendosur që punimet për zgjerimin e rrugës me katër korsi nga fshati Livoq i Epërm të përfundojnë në afërsi me lokacionin e Stacionit të Autobusëve, duke mos e përfshirë qendrën e qytetit.
Projekti është ndryshuar me kërkesë të Komunës së Gjilanit, e cila nuk ishte e pajtimit që zgjerimi i rrugës të përfshinte edhe qendrën e qytetit. Gjithashtu krahas punimeve për zgjerimin e rrugës do të ndërtohet edhe nënkalimi për Qendrën e Re të Mjekësisë Familjare (QKMF) me qëllim që të ketë një lidhje me Spitalin Regjional, shkruan sot Koha Ditore.
Gjithashtu punimet do të prekin edhe një pjesë të Stacionit të Autobusëve ku edhe do të zhvendoset rrethoja. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka bërë të ditur se nuk do të ketë zgjerim të rrugës në qendrën e qytetit, mirëpo do të punohet në ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore dhe në asfaltimin e rrugës dhe ndërtimin e trotuareve për këmbësorë. Sipas tij, punimet do të përmbyllen vitin e ardhshëm.