Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 278-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.
Takimi filloi me shqyrtimin e raporteve të kandidatëve për tre (3) gjyqtar mbikëqyrës të: Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Novobërdë, Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Leposaviq dhe Zubin Potok, mandati i të cilëve është pesë (5) vjeçar dhe do të fillojë nga data 1 mars 2022.
Sipas rekomandimeve të komisioneve vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, zgjodhën: gjyqtarin Gazmend Ajvazi, Gjyqtar Mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Novobërdë, gjyqtaren Tatijana Virijevic, Gjyqtare Mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Leposaviq dhe gjyqtaren Dragica Jakovljevic, Gjyqtare Mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Zubin Potok.
Në këtë takim, anëtarët e Këshillit në bazë të raportit të Panelit për Shqyrtimin e Aplikacioneve dhe Intervistim, aprovuan avancimin e njëmbëdhjetë (11) gjyqtarëve: Hajriz Hoti, Malsor Kryeziu, Franciska Zhitija – Ymeri, Naim Meholli, Ardian Ajvazi, Hidajete Gashi, Faton Bajrami, Besnik Bislimaj, Besnik Feka, Fatmir Baloku dhe Ylber Shurdhiqi, në pozitën gjyqtarë në Gjykatën e Apelit. Mandati i gjyqtarëve në fjalë do të fillojë nga data 1 mars 2022.
Në bazë të raportit të Panelit për Shqyrtimin e Aplikacioneve dhe Intervistim, anëtarët e Këshillit aprovuan shpalljen e konkursit të brendshëm për tre (3) pozita të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit. Po ashtu, Këshilli caktoi anëtarët e Panelit për Shqyrtimin e Aplikacioneve, Intervistimin dhe Rekomandimin e kandidatëve për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Apelit si dhe Komisionin për Rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Apelit.
Anëtarët e Këshillit, caktuan Qerim Ademaj, anëtar të Komisionit për Çështje Normative, Fahret Vellija, kryetar të Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Fidan Hoxha, anëtar të Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Vilard Bytyqi, anëtar rezervë të Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Teuta Ibrahimi, anëtare rezervë të Komisionit për Trajnime, Vilard Bytyqi, anëtar të Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, Fahret Vellija, anëtar rezervë të Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel. Po ashtu, u miratua ndryshimi dhe plotësimi i vendimeve KGJK.nr.192/2021, KGJK.nr.274/2021, KGJK.nr.308/2021, KGJK.nr.358/2021, KGJK.nr.03/2022 për zëvendësimin e anëtarit Cerim Fazlji.
Këshilli aprovoi shpalljen e konkursit për certifikimin e përkthyesve dhe interpretëve gjyqësorë për çiftin e gjuhëve: shqip – serbisht dhe anasjelltas; shqip – anglisht dhe anasjelltas si dhe serbisht – anglisht dhe anasjelltas. Po ashtu, u themeluan komisionet për testimin dhe vlerësimin e kandidatëve për certifikim të përkthyesve dhe interpretëve gjyqësor për çiftet e gjuhëve në fjalë.
Në vijim të këtij takimi, u themelua grupi punues për planin e veprimit lidhur me implementimin e Ligjit për Gjykatën Komerciale. Kryesuesi Zogaj, tha se pas miratimit të këtij ligj, duhet të trajtohen çështjet kryesore që ndërlidhen me implementimin e këtij ligji si: hartimi i shpalljeve për rekrutim të Kryetarit, Administratorit dhe Këshilltarit Ligjor, hartimi i udhëzuesit për transferimin e rasteve, hartimi i Rregullores për organizimin dhe funksionimin e gjykatës dhe hartimi i Rregullores për Njësinë Ligjore.
“Duhet të caktohen hapësirat fizike ku do të vendoset Gjykata Komerciale në një hapësirë të vetme si dhe të bëhet azhurnimi i Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) për akomodimin e menaxhimit të lëndëve të Gjykatës Komerciale”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.
Me qëllim të avancimit të Sistemit SMIL, Këshilli themeloi grupin punues për ndryshim të Rregullores Nr. 08/2019 për përdorimin e SMIL, me qëllim që sistemi të përshtatet nga kërkesat që dalin gjatë përdorimit të tij në punë.
Mes tjerash, Këshilli themeloi grupin punues për hartimin e Rregullores të brendshme për menaxhimin e pasurisë jo financiare dhe materialit shpenzues në KGJK dhe gjykata.
Anëtarët miratuan shpalljen e interesimit për transfer të përhershëm për gjyqtarë në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.
Këshilli aprovoi rekomandimin e Komisionit për Trajnime, për shtyrjen e afatit deri në 30 qershor 2022, për përmbushjen e fondit të ditëve për trajnime të gjyqtarëve për vitin trajnues 2022.
Anëtarët aprovuan propozimin me numër GJ.A.nr.194/2022, të datës 22.02.2022, të Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me ndryshimin e planit të punës për vitin 2022.
Këshilli aprovoi kërkesën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, për lirimin e gjyqtarit mbikëqyrës në Degën e Rahovecit, Ilir Rashkaj, pasi që i njëjti do të caktohet si gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Gjakovë. Lidhur me këtë, anëtarët aprovuan shpalljen e konkursit për pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës në Degën e Rahovecit. Po ashtu, u caktua Komisioni Vlerësues për intervistimin, vlerësimin si dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec.
Tutje, u aprovua njoftimi i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të SKGJK-së për pensionimin e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hanefi Jashari dhe gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Prenk Palushi.
Në vazhdimin e këtij takimi, anëtarët e Këshillit aprovuan Planin e përgjithshëm të Personelit për Administratën Gjyqësore për vitin 2022, që përfshin të gjitha nivelet e gjykatave, Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor dhe Njësinë për Inspektim Gjyqësor.
Anëtarët shqyrtuan rekomandimet e Asamblesë së Kryetarëve dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, të datës 18 shkurt 2022, me ç’rast Këshilli aprovoi rekomandimin për shndërrimin e pozitave të punonjësve teknik-mbështetës të sistemit gjyqësor në pozita profesionale si dhe rekomandimin për harmonizimin e pagave dhe pozitave të Sekretareve Juridike që kanë kualifikim arsimor “Jurist i Diplomuar” me kolegët e tyre Zyrtar Ligjor1.
Mes tjerash, u aprovua ndryshimi dhe plotësimi i vendimit KGJK.nr.313/2021, të datës 01.11.2021, sa i përket Komisionit Profesional për Vlerësimin e Përmbarimit me gjyqtarin e Gjykatës Supreme, Nenad Lazic.
Këshilli miratoi aplikacionin për pozitë të gjyqtarit porotë si dhe dy formularët e vlerësimit nga anëtari dhe komisioni për intevistë për gjyqtar porotë.
Anëtarët aprovuan Protokollin për referimin e rasteve në ndërmjetësim, duke përfshirë njoftimin për paditësin dhe të paditurin për referimin e rastit në procedurë të ndërmjetësimit.
Anëtarët miratuan Memorandumin e bashkëpunimit në mes të KGJK-së dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Procedura Standarde e Operimit ARC dhe KGJK, i cili parasheh komunikimin e të dhënave në mes KGJK dhe ARC, si dhe autorizuan Kryesuesin e KGJK-së për nënshkrimin e këtij memorandumi. Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me tre (3) pika të mbyllura për: themelimin e Penelit Hetimor për lëndën disiplinore NR.AD/KGJK/05/2022/GJTHM-AD-GHTHM.nr.02/2022, vazhdimin e seancës dëgjimore në lëndën disiplinore – Nr.AD/KGJK/09/2021/ GJTHPR-AD/GJTHPR/40/21 dhe shqyrtimin e raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura në rastin disiplinor NR.AD/KGJK/11/2021/GJTHGJL-ADGJL.nr.03/2021.