Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, në konferencën vjetore ka paraqitur sukseset dhe sfidat që e kanë përcjellë këtë ministri gjatë këtij viti. Buxheti i tërësishëm për këtë ministri ka qenë 199.3 milionë euro, pa huamarrje prej 24.2 milionë euro. Investimet kapitale kapin vlerën prej 190 milionë euro, Autostrada “Arbër Xhaferi” 148 milionë euro.
Zharku ka thënë se gjatë këtij viti janë ndërtuar 134.3 kilometra rrugë; prej tyre 20 kilometra janë autostradë; 67.1 kilometra rrugë nacionale dhe 42.2 kilometra rrugë rajonale.
Ai ka thënë se këto dy ditë do ta bëjnë inaugurimin e segmentit të parë të Autostradës “Arbën Xhaferi” prej Lipjani deri në Babush, kurse punimet kanë vazhduar edhe në 5 kilometra tjera.
“Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ lidh korridoret 8 dhe 10 në Maqedoni ku është përfunduar segmenti i parë C1 në gjatësi prej 20 kilometra, që është prej kyçjes së Autostradës ‘Ibrahim Rugova’ në Autostradën ‘Arbën Xhaferi’ deri në Babush dhe po vazhdohet në trasenë Babush-Ferizaj-Doganaj për të vazhduar në Grykën e Kaçanikut”, ka thënë Zharku.
Ai ka treguar se është miratuar nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor raporti i vlerësimit të ndikimit dhe ambientit social për segmentin e tretë dhe të fundit të autostradës që është për Doganaj në Hanin e Elezit dhe janë përgatitur elaboratet e shpronësimit.
Sa i përket projekteve kapitale me vlerë mbi 100 mijë euro, ai tha se sivjet janë lidhur 50 kontrata, memorandume të bashkëfinancimit me 20 komuna ku janë përfshirë 56 projekte, kurse në vitin 2016 kemi pasur 126 projekte komunale.
“Mbetet objektiv implementimi i projektit për ndërtimin e Autostradës ‘Arbën Xhaferi’ apo linja 6 Prishtinë-Hani i Elezit, vazhdimi i zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë-Pejë, zgjerimi i rrugës nacionale Besi-Podujevë, etj”, ka thënë ai.
Sa i përket hartimit të projekteve kapitale të përgatitura janë: projekti për autostradën Prishtinë-Gjilan-Konçul në gjatësi prej 47.1 kilometër që me buxhetin e vitit 2017 është paraparë fillimi i punimeve; është kryer një pjesë e hartimit të projektit për rrugën Besi-Podujevë ku lloti i parë është kryer dhe vazhdon me llote të tjera.
Janë kryer projektet për rikonstruktimin e rrugës nacionale prej Veterniku deri te Rrethi te QMI-ja, e projekte të tjera.
Në Departamentin e Aviacionit Civil,janë aprovuar 11 leje të operimit për avio-kompani ajrore të rregullta dhe sezonale. Janë aprovuar 208 leje të fluturimit Ad-Hoc. Shërbime të organizuara të fluturimit të rregullta dhe charter, kanë ofruar deri më tani gjatë këtij viti 26 kompani ajrore.
Numri i udhëtarëve në ANP në vitin 2015 ishin 1 549 198 persona, ndërsa në 2016 (deri në nëntor) ishin 1 609 410 persona. Rritja e trafikut ajror për periudhën 1 janar – 30 nëntor 2016: 11,5 % ose 166 mijë udhëtarë më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.