Armend Hamiti, prokurori që është duke e trajtuar rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi është në pritje të rezultateve të autopsisë së mbetjeve mortore që u gjetën të premten në një lokacion në Novobërdë. Duke mos u lëshuar në detaje, prokurori Armend Hamiti tha se ky rast është në fazën përfundimtare të hetimeve dhe së shpejti pritet të ketë risi, për çka prokuroria do ta informojë publikun me kohë.
Bedri Rexhepi nga Lipjani është zhdukur nga muaji prill i vitit 2021, ndërsa prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Armend Hamiti, tha për Gazetën Express se hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë intensive.
“Janë duke u hetu intensivisht, shumë shpejt do të ketë risi, prokuroria do të ju informojë. Opinioni është shumë i interesuar për këtë rast”, tha Hamiti.
I pyetur se kur pritet të dalin rezultatet e ekzaminimeve të nevojshme të mbetjeve mortore që pritet të zbardhin identitetin e tyre, ai tha: “Jemi duke e pritë, urdhëresen e kemi lëshu, janë duke punuar. Ende s’kemi përgjigje. Si t’ka diçka do të dalim me ndonjë komunikatë apo konferencë dhe do t’i sqarojmë krejt. Po hala jemi në fazën e hetimeve”, tha Hamiti.
Gjatë bisedës, prokurori Hamiti tha se hetimet janë në fazën përfundimtare.
Për këtë rast Gazeta Express e ka kontaktuar edhe vëllain e viktimës, Vedat Rexhepin, por i njëjti tha se për rastin janë në pritje të prokurorisë.
Prokuroria e Prishtinës njoftoi të premten për identifikimin e një zone kodrinore-malore në Novobërdë ky dyshohet të jetë trupi i zhdukur i Bedri Rexhepit.
Prokuroria njoftoi se janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin e “Rrëmbimit” të biznesmenit.
“Prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit”, thuhet në njoftim.
Për rastin e zhdukjes së viktimës janë arrestuar disa persona të dyshuar, disa ndodhen në paraburgim.