I fundit që i pa dy policët e zhdukur ishte një vozitës që u dënua nga ata për kundërvajtje. Ky person së fundi është intervistuar nga Prokuroria e Shtetit.
Katër persona deri më tani janë intervistuar nga ana e organeve të hetuesisë së shtetit lidhur me rastin e hetimeve të zhdukjes së dy policëve, Malësor Dashit dhe Armend Trenës, të cilët dyshohet se mbrëmjen e së shtunës ranë në një humnerë në territorin e Kaçanikut, derisa ishin në kryerje të detyrës. Nga të intervistuarit ka punëtorë të kompanisë së ndërtimit “Bechtel Enka” njërin prej të cilëve policët e zhdukur mbrëmjen fatale e dorëzuan në polici.
Prokuroria po ashtu ka marrë në pyetje edhe personin i cili i kishte qenë i fundit që kishte kontaktuar me policët e zhdukur. Atij, Malësor Dashi e Armend Trena, i kishin shqiptuar një tiketë për kundërvajtje në mbrëmjen e së shtunës, tha kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
“Deri më tani për këtë çështje janë intervistuar katër dëshmitarë. Ka dëshmitarë të cilët janë punëtor të Bechtel Enka-s. Është edhe një tjetër dëshmitar që atë ditë ka qenë i arrestuar, si dhe është një person tjetër që është intervistuar atë ditë, e të cilit policët e zhdukur ia kishin shqiptuar një tiketë komunikacioni për kundërvajtje. Tash do të shohim prej hetimeve”, ka thënë Jashari për Express.
Por, rreth këtij rasti misterioz, kryeprokurori Jashari, i cili po i zhvillon hetimet, ka thënë se dyshimet e para çojnë se vetura ka rënë në humnerë.
“Deri në këto momente dyshimet e vetme janë që kanë rënë në lumë. Të tjerat janë vetëm thashetheme”, ka sqaruar ai.
E ndërkohë vetura të cilën na natën e së shtunës kanë qenë duke e vozitur të dy policët është dërguar për ekzaminim. E gjithë kjo sipas prokurorisë që të jepet dritë në atë se cka e ka shkaktuar aksidentin. Jashari ka treguar se në vendin e ngjarjes edhe një herë do të dalin zyrtarët dhe ekspertët e komunikacionit nga polica e Kosovës për të bërë të ditura shkaqet që quan deri në këtë aksident.
“Vetura është dërguar për në ekspertizë. Kërkesa është bërë, pritet vetëm që të bëhet ekzaminimi. Nuk mund të paragjykojmë nëse vetura ka pasur ndonjë defekt, pasi që në vendin e ngjarjes nuk ka pasur ndonjë gjurmë të frenimit. Dyshimet janë se ata kanë rënë në lumë”, ka deklaruar tutje kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
Prokuroria dyshon së në vendin e ngjarjes u gjetën pjesë të trurit
Një ditë pas këtij rasti, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa mbetje trupore të cilat, sipas Prokurorisë, po dyshohet se janë pjesë të trurit. Ato pjesë nuk dihet nëse janë të ndonjërit prej policëve apo të ndonjë personi tjetër.
Për t’u mësuar se kujt i përkasin, nga Prokuroria thonë se do të jetë analiza e obduksionit ajo e cila do të jap më shumë të dhëna.
“Pjesët e gjetura dyshohet se janë një pjesë e trurit. Por pa u bërë analiza e obduksionit nuk mund të dimë se çka ka qenë sigurt. Po e presim raportin e Mjekësisë Ligjore”, ka thënë prokurori Jashari.
Mjekësia Ligjore: Nëse Prokuroria bën kërkesë, ne ekzaminimet i kryejmë nesër
Rreth kësaj çështjeje, zyrtarë nga Mjekësia Ligjore në Kosovë kanë deklaruar se po e presin urdhrin e Prokurorisë dhe thonë se, nëse ai urdhër arrin brenda ditës, ekzaminimet e atyre mbetjeve do të kryhen nesër.
Kështu ka thënë drejtori i Mjekësisë Ligjore në Kosovës, Arsim Gërxhaliu, duke sqaruar se ata nuk kanë pranuar asnjë ftesë nga ana e Prokurorisë për ekzaminim.
“Presim urdhëresën nga Prokuroria e Ferizajt. Nëse e sjellin, ne nesër e kryejmë ekzaminimin”, ka deklaruar Gërxhaliu. Ndërkohë, për këtë çështje, nga ana e drejtuesve të hetuesisë kosovare janë marrë si prova materiale një armë e cila nuk dihet se kujt i takon, disa pranga si dhe një shufër e gomës.
Policët e aksidentuar të shtunën kanë qenë në një makinë zyrtare në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit dhe më pas vetura ka rënë nga një lartësi prej rreth 150 metrave në lumin Lepenc.
Kërkimet po bëhen edhe në anën maqedonase të kufirit ndërshtetëror. Autoritetet atje janë në kërkim të trupave të dy policëve, pasi dyshimet janë që rrjedha e ujit ka mundur t’i bartë ata në pjesën e Lepencit që kalon nëpër Maqedoni