Në fund të javës që lamë pas, u zbulua pa dashje lista përfundimtare e 23 lojtarëve të cilët do të jenë pjesë e Belgjikës në Kampionatin Botëror në Rusi dhe përkundër se fillimisht Adnan Januzaj ishte përzgjedhur në listën preliminare, u pa që futbollisti me prejardhje nga Kosova, nuk kishte qenë i përfshirë në listën përfundimtare që u publikua pa dashje.
Me gjithë këtë, në ndeshjen miqësore të së shtunës të Belgjikës kundër Portugalisë, Adnan Januzaj iu dha mundësia për të luajtur dhe ishte prezent në fushë gjatë gjithë pjesës së dytë, në barazimin pa gola të Belgjikës me kampionët evropian, Portugalinë.
Sot u publikua edhe zyrtarisht lista përfundimtare e 23 lojtarëve të Belgjikës që do të marrin pjesë në Kupën e Botës në Rusi dhe ka një befasi interesante.
Në këtë listë vërehet që ka një ndryshim për dallim me listën e cila doli në publik pa dashje javën e kaluar, ku tani Adnan Januzaj është përfshirë në skuadër, kurse Christian Benteke ka ngelur jashtë.
Po ashtu në listën përfundimtare është kthyer edhe Leander Dendoncker, i cili ishte larguar po ashtu nga ajo lista e publikuar rastësisht, kurse Laurent Ciman, ka ngelur jashtë si lojtarë rezervë në rast se ndodh ndonjë e papritur në momentet e fundit.
Përkundër se përzgjedhësi Roberto Martinez e sqaroi situatën e listës që u publikua aksidentalisht, megjithatë se kanë ndodhur ndryshime në momentet e fundit, kjo është e dukshme.
Më poshtë e keni listën përfundimtare të Belgjikës për Botërorin në Rusi, ku është edhe Adnan Januzaj.