Instituti Demokraci për zhvillim (D4D) organizon konferencën në të cilën do të bëhet prezantimi i punimit “Zhvillimi i turizmit përmes politikave dhe legjislacionit efikas”.
Në këtë konferencë u tha se vendet që janë në fazën e hershme të zhvillimit të turizmit, siç është Kosova, kanë mundësi që të përfitojnë nga turizmi, veçanërisht në uljen e varfërisë dhe rritjen e zhvillimit ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Isuf Zejna nga Instituti Demokraci për zhvillim, tha se që turizmi të lulëzojë në mënyrë të qëndrueshme, institucionet publike duhet të sigurojnë një legjislacion përkrahës, një kornizë institucionale e cila është e favorshme për zhvillimin e sektorit privat, si dhe të garantoj sigurimin e cilësisë për turistët.
Gjatë kësaj konference u bë edhe prezentimi i të gjeturave nga përvojat rajonale mbi krijimin e organizatës kombëtare për turizëm, si dhe nga diskutimet publike që janë mbajtur në disa komuna të Kosovës me propozimet e marra për këtë fushë.
Pjesëmarrësit theksuan se publiku i gjerë dhe disa sektorë të shoqërisë, duke përfshirë sektorin privat nuk janë mjaftueshëm të inkurajuar të marrin pjesë në konsultimet mbi turizmin, me ç’rast nuk janë të mirë informuar nga përfitimet që do të kenë, nëse përfshihen më shumë në planifikim të aktiviteteve dhe zbatimit e tyre, bashkë me institutcionet relevante.
Ky aktivitet u realizua me përkrahje nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat, që implementohet nga organizata Sëisscontact në partneritet me Institutin Riinvest dhe PEM Consult dhe financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë.