Autoritetet qeveritare bëjnë të ditur se të paktën 39 persona kanë vdekur, kurse 16 të tjerë janë lënduar nga zjarri që ka përfshirë një pyll në Portugalinë qendrore.
Shumica e viktimave kanë qenë të bllokuar në makinat e tyre, ku edhe janë djegur, raporton AFP.
Qindra zjarrfikës me 160 automjete janë angazhuar në shuarjen e zjarrit. Ata nga dita e djeshme po përpiqen ta lokalizojnë stihinë e zjarrit në Pedrogao Grande, qytet në rrethin e Leiras, transmeton Telegrafi.
Kryeministri portugez, Antonio Costa ka thënë se kjo është tragjedia më e rëndë që e ka goditur Portugalinë gjatë viteve të fundit.
Ai tha se numri i viktimave ka mundur të jetë edhe më i madh, kurse prioritet i ekipeve të zjarrfikësve është që të shpëtohet banorët e zonave që gjenden në rrezik.