Komuna e Obiliqit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, në një depo të KEK-ut, afër termocentralit Kosova A, është shkaktuar një zjarr.
Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit e Komunës së Obiliqit thotë se nga zjarri janë djegur materiale të ndryshme jo të rrezikshme të plastikës.
“Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit, në bazë të planit për kontroll dhe mbikëqyrje përmes Inspektorëve mjedisorë, njofton qytetarët e Komunës së Obiliqit se sot rreth orës 13:00 është shkaktuar një zjarr afër termocentralit Kosova A, përkatësisht në një depo të KEK-ut e cila ka qenë e mbushur me materiale të ndryshme jo të rrezikshme të plastikës dhe pas intervenimit të zjarrfikësve zjarri është fikur”, ka thënë Zyra për informim e Komunës së Obiliqit.
Ndërkaq, si rezultat i këtij zjarri, njoftimi thotë se është shkaktuar tym i madh përgjatë orëve 13:00 dhe 14:00.
Komuna s’ka njoftuar për dëmet e shkaktuara nga ky zjarr.