Zjarrfikësit e Kosovës kanë reaguar pasi konsiderojnë se janë anashkaluar nga planifikimi i Buxhetit dhe ndarjet buxhetore për vitin 2021.
Sindikata e Zjarrfikësve me këtë rast i është drejtuar me një letër publike të gjitha institucioneve shtetërore, përmes së cilës kërkon që të reflektojnë pozitivisht dhe zjarrfikësve t’iu jepet prioritet ashtu siç e kanë edhe profesionin e shenjtë, misionin, shpëtimin e jetës së njeriut dhe të mirave materiale.
“Dje Kuvendi i Kosovës mbajti seancën ku në rend të ditës ishte edhe planifikimi i Buxhetit dhe ndarjet buxhetore për vitin 2021, Zjarrfikësit e Kosovës me kureshtje e përcollën punën e Kuvendit, se ndoshta institucionet e vendit më në fund do të reflektojnë pozitivisht dhe Zjarrfikësve do t’ju ipet prioritet ashtu siç e kanë edhe profesionin e shenjtë, misionin, shpëtimin e jetës së njeriut dhe të mirave materiale. Pritja ishte pasi që Sindikata edhe ketë herë iu drejtua me shkresë që zjarrfikësit mos të anashkalohen, kemi kërkuar që fillimisht të ndërpriten Diskriminimet dhe shkeljet ligjore qe rëndojnë mbi supet e zjarrfikësve vite me radhë me dekada”, thuhet në njoftim.
Sindikata thotë se përkundër se shteruan të gjitha mundësitë, ata nuk gjeten mirëkuptimin e institucioneve.
“Mirëpo si çdo herë asgjë konkrete asnjë përgjigje dhe qasje serioze për të zgjidhur problemet e akumuluara vite me radhë jemi të befasuar me institucionet relevante Qeveritare, ministrive përkatëse të befasuar me qëndrimet e deputetëve dhe të gjithë atyre që iu drejtuam, që së paku tek institucionet përgjegjëse të ngritët çështja e pa zgjidhur, ose të diskutohet si problem i paraqitur në shërbimin Emergjent të domosdoshëm për siguri, por zjarrfikësit edhe një herë u dëshpëruan dhe u anashkaluan si çdo herë deri me tani pa drejtësisht dhe në mënyrë të turpshme”, thuhet në njoftim.
Sipas sindikatës, kërkesat e tyre janë të drejta dhe të bazuara në ligj.
“Deputetet dhe institucionet tona nuk e dinë se si veprojnë Zjarrfikësit, si është me rreziku jetën për të shpëtuar të tjerët, nuk e dinë sa zjarrfikës janë ne vendin tonë, ose ne Komunat prej nga kanë ardhë dhe i përfaqësojnë, nuk e dinë se zjarrfikësit nuk kanë as Pajisje personale, me automjete të stervjetruara, të cilat nganjëherë duhet për t’i shtyrë për t’i ndezë, pa sigurime shëndetësore, pa përkujdesje institucionale, pa kontrollime sistematike mjekësore, të pa mbrojtur edhe sa i përket shpenzimeve të lëndimeve në punë, mosha mesatare e zjarrfikësve 48 vjeçar, me pagat me të ulëta në nivel vendi, Zjarrfikësit janë i vetmi shërbim që nuk kompensohen për ndërrime të natës, festat dhe orët jashtë orarit të punës, të përbuzur, të injoruar të denigruar edhe profesionalisht, duke i detyruar të punojnë edhe punë jashtë domenit dhe përshkrimit të vendit të punës, kjo gjendje e krijuar e papranueshme dhe e papërballueshme”, thuhet në komunikatën e tyre.