Zjarri që shkrumboi tri shtëpi në Graçanicë nisi aksidentalisht nga një i moshuar

Prishtinë | 24 Qer 2021 | 19:08 | Nga Ekonomia Online

Zjarri që nisi në një objekt përfshiu edhe tri objekte të tjera në Graçanicë. Fatmirësisht nga ky zjarr nuk ka viktima dhe të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Njësitet e zjarrfikësve kanë dalë në vend të ngjarjes që nga ora 7 e mëngjesit për ta shuar zjarrin që dyshohet se nisi aksidentalisht nga një i moshuar i cili ndezi një zjarr me qëllim për t’i djegur disa mbeturina.

Rreth objektit gjendeshin edhe disa drunj që ndihmuan që zjarri të përhapej edhe në tri objekte të tjera.

Zjarri është shuar, derisa Inspektori për Parandalimin e Zjarreve është në vend të ngjarjes për ta hetuar rastin dhe shkaqet e këtij zjarri.

Banorët kanë treguar për Klan Kosovën se e kanë dëgjuar një krismë që ka ngjasuar me atë të shpërthimit të një bombole të gazit gjë që është vërtetuar nga komandanti i zjarrfikësve.

Bombola e gazit, që ka qenë brenda shtëpisë ku ka nisur zjarri, ka shpërthyer pasi zjarrfikësit kanë ardhur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur ta fikin zjarrin. Nuk pati të lënduar nga ky shpërthim, pasi asnjëri nga zjarrfikësit nuk ka qenë afër.

Në aksionin për ta shuar zjarrin e madh që ka përfshirë tri shtëpi dhe një objekt tjetër në Graçanicë ka ndihmuar edhe policia.

https://www.youtube.com/watch?v=pMrEVE9sWH8

Të ngjashme