Një zjarr në shpatet e Table Mountain të Afrikës së Jugut është përhapur edhe në kampusin e Universitetit të Cape Town, duke detyruar evakuimin e qindrave studentëve, kanë njoftuar zyrtarët, raporton BBC.
Zjarri u përhap shpejt pasi shpërtheu të dielën në mëngjes në afërsi të një memoriali për politikanin Cecil Rhodes. Një restorant është shkatërruar.
Biblioteka historike e universitetit dhe ndërtesat e tjera janë prekur po ashtu. Katër helikopter po mundohen me sasi të mëdha të ujit.
Parqet Nacionale të Afrikës së Jugut kanë thënë se zjarrfikësit janë njoftuar rreth orës 9:00 të mëngjesit me kohë lokale. Flakët janë përhapur shpejt shkaku i nivelit të ulët të lagështisë dhe shkurreve të thata.
Zjarri krijoi erën e vet duke rritur më tej shkallën e përhapjes, është shtuar, duke vlerësuar se zjarrfikësve u duhen së paku tri ditë për ta vënë nën kontroll zjarrin.
Më tepër se 120 zjarrfikës janë vendosur në këtë zonë, dhe njëri është dërguar në spital për trajtim pasi ka marrë plagë nga zjarri.
Zjarri ka shkatërruar Librarinë Jagger të Universitetit të Cape Town e po ashtu edhe Mostert’s Millin historik. Ndërtesat tjera po ashtu janë prekur.
“Gjithë studentët e UTC-së janë evakuuar nga kampusi nga shërbimet emergjente”, është njoftuar nga universiteti në Twitter.
Edhe banorët në rrethinë janë paralajmëruar për tymin dhe u është thënë të mbajnë dyert e dritaret e mbyllura.