Zjarri shkrumbon pallatin në Nice, 7 viktima, mes tyre 3 fëmijë

Prishtinë | 18 Kor 2024 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Shtatë të vdekur është bilanci i një zjarri që përfshiu një bllok banimi në Nice të Francës në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një godinë banimi në lagjen Moulins të Nicës. Zjarrfikësit u thirrën rreth orës 02:30 për një zjarr, shkaqet e të cilit ende nuk dihen, në katin e shtatë të një pallati në zonën e klasës punëtore të qytetit.

Midis viktimave janë tre fëmijë dhe një adoleshent, siç është konfirmuar nga ministri i Brendshëm Gérald Darmanin. Sipas forcave zjarrfikëse të qytetit përveç 7 viktimave, edhe tre persona u transportuan në spital në gjendje të rëndë.

72 zjarrfikësit që u angazhuan në shuarjen e flakëve ia dolën ndërkohë të shpëtonin në kohë 36 persona që mbetën të bllokuar në apartamentet e tyre.

Prokurori i çështjes, Damien Martinelli tha për mediat se hetimet për të zbuluar shkaqet e rënies së zjarrit po vijojnë dhe nuk përjashtohet as pista e zjarrvënies së qëllimshme.

“Duke pasur parasysh elementët e parë, unë hapa një hetim për zjarrvënie që çoi në vdekje”, u tha ai gazetarëve në vend.

Të ngjashme