Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), të mërkurën ka mbajtur punëtorinë “Rritja e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve”. Përveç drejtuesve të ZKA-së në punëtori kanë marrë pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP); Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT); deputetja e parlamentit suedez znj. Mia Sydoë Mölleby; ish deputetja e Latvisë znj. Inguna Sudraba njëherësh edhe ish Auditore e Përgjithshme e Latvisë si dhe përfaqësuesit e Institucionit Suprem të Auditimit të Suedisë dhe SIGMA-s.
Të pranishmit kanë vlerësuar se kjo punëtori ishte një mundësi e mirë për të biseduar për një qasje të orientuar në rritjen e ndikimit Kuvendit dhe ZKA-së për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, rrjedhimisht ndikimin në avancimin e menaxhimit të financave publike.
Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka thënë se për ZKA-në është thelbësore zbatimi i rekomandimeve, si një nga objektivat kryesore që sjell përmirësim dhe avancim të menaxhimit të parasë dhe pasurisë publike. Bashkëpunimi me të dy Komisionet e Kuvendit është tepër i rëndësishëm për të nxitur dhe shtyrë përpara proceset që ndihmojnë në punën e ZKA-së. “Është obligim ligjor, që ne si dy institucione përgjegjëse, njëra për kontroll e tjetra për ligjvënie dhe mbikëqyrje, në këtë rast të financave publike të funksionojmë si dy mekanizma të pandara që i shërbejnë vendit në rritjen e kontrollit dhe përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike”, ka deklaruar znj. Spanca.
Tutje Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se rritja e ndikimit të punës së ZKA-së, përkatësisht zbatimin e rekomandimeve të auditimit vë në pah nevojën për të ndërmarrë masa konkrete për adresimin e rekomandimeve nga ana e krerëve të institucioneve publike duke intensifikuar kontrollet dhe monitorimin e vazhdueshëm të planeve të veprimit për zbatim të rekomandimeve. “Pavarësisht punës së ZKA-së dhe angazhimit të Kuvendit në nxitjen dhe sensibilizimin e zbatimit të rekomandimeve, niveli i zbatimit të tyre ende nuk është i duhuri. Në bazë të raporteve të auditimit, rezultatet tregojnë se vetëm 45% të rekomandimeve të vitit 2019 janë zbatuar, e cila tregon një rritje te lehtë krahasuar me vitin 2018 qe ishte 40%”, është shprehur Spanca.
Auditorja e Përgjithshme, ka folur gjithashtu për progresin e zbatimit të planit të auditimit për sezonin 2021-22, duke thënë se nga raportimet dhe rezultatet e deritashme, vërehet se gjendja e menaxhimit të financave publike dhe raportimit financiar nuk është më mirë se në vitin e kaluar e në disa raste gjendja ka indikacione se është edhe më e renduar. “Kjo reflektohet në veçanti në institucionet e qeverisjes lokale dhe në ndërmarrje publike për të cilat vlerësohet se kanë dështuar të zbatojnë kontrolle të brendshme adekuate për të parandaluar parregullsitë. Tek institucionet lokale, situata mund të jetë e renduar për shkak të faktorëve, si; mbajtja e zgjedhjeve lokale, sfidat me pandeminë apo faktorë të tjerë. Ndërsa tek Ndërmarrjet Publike, mungesa e auditimit për vite me radhë konsiderohet se ka qenë ndër faktorët kryesor”, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), Armend Muja, pasi ka vlerësuar rëndësinë e auditimeve që kryhen nga ZKA dhe ka shpreh vlerësime të larta për punën e saj, ka theksuar nevojën për të gjetur mënyra të reja shtesë për të ushtruar ndikimin e Kuvendit në zbatimin e rekomandimeve. Z. Muja ka thënë se përveç angazhimeve të tjera një kulturë e follow-up (përcjelljes) së zbatimit të rekomandimeve duhet të zhvillohet në ardhmen për të forcuar ndikimin në zbatimin e tyre.
Zëvendës kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP), Arta Bajralija, ka theksuar se niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga institucionet publike është shqetësuese për Kuvendin dhe në këtë drejtim ka ngritur nevojën për rritjen e llogaridhënien nga palët përgjegjëse. Ajo ka përmendur se KMFP, gjatë vitit shqyrton rreth 30 raporte të auditimeve të kryera nga ZKA, si dhe ka theksuar nismën e këtij Komisioni për të zhvilluar vizita në institucione dhe aktivitete tjera për të mbikëqyr zbatimin e Ligjit për Kontroll të Brendshëm të Financave Publike.
Të dy përfaqësuesit e Komisioneve kanë falënderuar pjesëmarrësit suedez dhe të Latvisë për gatishmërinë e treguar për të bartur tek ne përvojat e tyre në lidhje më këtë fushë.
Gjatë kësaj punëtorie, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të ata të parlamentit suedez dhe Latvisë kanë ndarë përvojat dhe praktikat e tyre me qëllim të rritjes së ndikimit të punës së tyre në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.
Deputetja suedeze Mia Sydoë Mölleby dhe Dag Levin Sparr, Këshilltar i Lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS) prezantimet e tyre i kanë fokusuar tek rritja e ndikimit të punës së ZKA-së. Ata kanë ndarë me të pranishmit praktikat e mira të Parlamentit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë për shqyrtimin e raporteve të auditimit dhe bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve për të siguruar menaxhimin e mirë të fondeve publike dhe mbajtur përgjegjës krerët e organizatave buxhetore.
Kurse ish Auditorja e Përgjithshme dhe ish deputetja e Parlamentit të Latvisë, njëherësh eksperte e angazhuar nga SIGMA, Inguna Sudraba, ka prezantuar perspektivën e bashkëpunimit të Institucioneve Supreme të Auditimit me Parlamentin.
Ndërsa Alastair Swarbrick, këshilltar i lartë për politika të financave publike dhe auditimit, SIGMA, ka folur lidhur me përshtypjet e palëve të jashtme për ZKA-në, me ç’rast ka prezantuar rezultatet e anketimit nga të cilat ka rezultuar se këto përshtypje vazhdojnë të theksojnë besueshmërinë e lartë në këtë institucion.
Ndër konkluzionet kryesore të nxjerra nga kjo punëtori ka qenë nevoja e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit për ti mundësuar kësaj zyre të orientojë planet e auditimit në fusha më rrezik të lartë, me prioritet dhe interes për Kuvendin dhe publikun në përgjithësi.