Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) ka evidentuar pa rregullsi për komunën e Lipjanit, në shqyrtimin e kërkesave për leje të ndërtimit dhe mjedisore, si dhe punësimet.
Sipas raportit të ZKA-së thuhet se në një rast “konkluzioni mbi kompensimin për lëshimin e lejes së ndërtimit” (kalkulimi i taksës administrative dhe tarifës për rritje të densitetit) nuk është nënshkruar nga tre personat përgjegjës si dhe komuna ka lëshuar lejen mjedisore pa pranuar pagesën paraprakisht.
“Kërkesës për leje të ndërtimit i bashkëngjitet edhe leja mjedisore komunale si provë para se të shqyrtohet kërkesa. Në një rast raporti shqyrtues i komisionit për leje mjedisore dhe lejen mjedisore si dokument ishin lëshuar/ofruar pas dhënies së lejes së ndërtimit”, thuhet në raport.
Dobësi në procesin e rekrutimit është e gjetur tjetër e raportit sa i përket komunës së Lipjanit. Kjo thuhet se nuk kishte respektuar kërkesat ligjore të përcaktuara për menaxhimin e procedurave të rekrutimit, përfshirë edhe formularët standard të tyre.
“Anashkalimi i procedurave të rregullta të rekrutimit në shumicën e rasteve është si pasojë e neglizhencës së zyrtareve. Dobësitë e identifikuara i kemi prezantuar si në vijim: Në dy raste të rekrutimit për stafin civil për pozitat ‘Zyrtar për kadastër’ dhe ‘Zyrtar prokurimi’, komuna nuk ka ofruar dëshmi lidhur me ftesën apo njoftimin e kandidateve për testim me shkrim apo intervistë. Gjithashtu, tek këto raste mungonte edhe shkresa e menaxherit të personelit mbi rezultatin e testimit, për kandidatët e suksesshëm që i propozon Zyrtarit Kryesor Administrativ”, thotë ZKA.
Ndërsa, në rastin e rekrutimit për “Zyrtar për kadastër” nuk ka dëshmi mbi kërkesën për fillimin e rekrutimit nga udhëheqësi i njësisë.
“Për më tepër komuna në shpalljen publike, nuk ka specifikuar qartë kualifikimin, mirëpo është kërkuar vetëm ‘Diplomë Universitare’; Procedurat e përzgjedhjes së kandidateve në dy raste për pozitat ‘Doktor në Ambulanten Sllovi’ dhe ‘Teknik i farmacisë në QMF Lipjan’, testi me shkrim përmbante vetëm pesë pyetje dhe për me tepër mungonin dëshmitë me shkrim për komunikim me aplikuesit. Gjithashtu nuk është respektuar afati kohor i ankesave prej 15 ditëve (kontratat ishin nënshkruar pas një jave nga raporti final i rekomandimit të komisionit rekrutues)”, thuhet në raportin e auditorit.
Po ashtu për rekrutimin e tre mësimdhënësve, komuna nuk ka zhvilluar testimin me shkrim, si dhe komisioni është përberë vetëm prej tre anëtareve, kërkohet që komisioni të përbëhet nga pesë anëtar.
“Për me tepër, te rekrutimi ‘Mësimdhënës të edukatës fizike në SHML Gjimnazi Ulpiana’, nuk është respektuar afati i ankesave prej 15 ditëve, ndërsa te rekrutimi ‘Arsimtar i Historisë – SHFMU Kadri Beba’ konkursi ka mbet i hapur vetëm për shtatë ditë. Në një rast, mungon opinioni i departamentit të buxhetit të MF-së për pozitën ‘Mësimdhënës i Edukatës Fizike në SHML Gjimnazi Ulpiana’, e cila siguron se pozita është e planifikuar dhe është e aprovuar”, vlerësoi ZKA.
Gjithashtu komuna e Lipjanit në një rast në shpalljen publike ka kërkuar vetëm një mësimdhënës, ndërsa janë pranuar dy.
Si dobësi tjetër është gjetur edhe në procesin e prokurimit.
“Dobësi në prokurim dhe menaxhim të kontratave, ne kemi identifikuar disa dobësi në zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit për kategorinë e investimeve kapitale si në vijim: Prokurimi për projektin “Asfaltimi i rrugës nga Dobratini – Sllovi dhe Rrugës së Kuqe në fshatin Sllovi” në vlerë 14,755€, është realizuar jashtë planit të prokurimit, si dhe punët për asfaltimin e rrugëve janë kontraktuar në sezonin e dimrit që ka bërë të pamundshme realizimin e kësaj kontrate”, thuhet me tej në raport.
Po ashtu te procedura e prokurimit “Ndërtimi i shkollës SHFMU – Nezë Bujani – Bujan paralele e ndarë Bregu i Zi” me vendim dhe plan për menaxhimin e kontratës, organ mbikëqyrës është caktuar një zyrtar nga Departamenti Shërbimeve Publike, mirëpo raportet e mbikëqyrjes (situacionet e punëve të kryera) janë të nënshkruara nga dy zyrtarë tjerë nga ky sektor.
“Nuk ka vendim tjetër për ndërrimin e organit mbikëqyrës, dhe as plan të ri për menaxhimin e kontratës. Në katër raste departamenti i prokurimit ka aprovuar kërkesat e menaxherëve të kontratës për zgjatje të afatit të punimeve. Po ashtu në katër raste tjera ka aprovuar ndryshime edhe në paramasë. Këto ndryshime, nuk janë kryer në përputhje me Udhëzuesin Operativ të Prokurimit sipas neni 61.23, ku kërkohet që vetëm Zyrtari Kryesor Administrativ, paraprakisht të aprovoj këto ndryshime; dhe në dy raste komuna ka shpall fitues Operatorin Ekonomik që nuk ka përmbushur kriteret e caktuara në dosjen e tenderit (kërkesat për kapacitetet teknike dhe profesionale)”, thuhet në raportin e auditorit.
Zotimi i mjeteve pas nënshkrimit të kontratës është e gjetur tjetër, ku në tri raste “Ndërtimi i shkollës SHFMU – Nezë Bujani – Bujan, paralele e ndarë Bregu i Zi” në vlerë 148,392€, “Mirëmbajtja e rrugëve të asfaltuara në komunën e Lipjanit” në vlerë 115,707€; dhe “Furnizime me ushqime për QEAP – Çerdhja Lipjan dhe ditëve të shkollave” në vlerë 82,473€, komuna ka bërë zotimin e mjeteve pas nënshkrimit të kontratës duke mos respektuar rregullën financiare 01/2013 për shpenzimin e parasë publike, nenin 12.
ZKA ka vlerësuar se zbatimi i rekomandimeve nga komuna e Lipjanit është i ulët nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm.