Zogaj: Është për keqardhje situata në Divizionin Penal të Gjykatës Themelore të Prishtinës

Prishtinë | 09 Tet 2024 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, (KGJK) Albert Zogaj, me rastin e raportimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Ramaj për periudhën tremujore (korrik-shtator 2024), të kësaj gjykate, tha se është për keqardhje situata në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal.

“Është për keqardhje situata në Departamentin e Përgjithshëm Divizionin Penal, Departamenti i Përgjithshëm-Penale në Prishtinë, të reflektoj me urgjencë”, tha Zogaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ai tha në mbledhjen e radhës të Këshillit do të propozohet që të ndryshohet rregullorja lidhur me normën e gjyqtarëve, me qellim që të mos mund të arrihet norma me vendimet që gjykatësit i nxjerrin kur arrihet parashkrimi absolut.

Ndryshe, gjykatës në këtë departament janë: Sabit Sadikaj, Eroll Gashi, Driton Berisha, Dibran Isufi, Donikë Shala-Abdyli, Edita Çanta, Anita Krasniqi-Prenaj, Naime Krasniqi-Jashancia, Fisnik Gashi, Burim Ahmeti dhe Adnan Kamberi.

Zogaj kërkoi nga kjo gjykatë të jetë model në trajtimin e disa rasteve që zgjojnë interesimin e monitoruesve vendorë dhe atyre të organizatave ndërkombëtare, pasi që sipas tij, ka proces gjyqësore që ende nuk kanë epilog ose edhe nuk ka filluar.

Po ashtu, Zogaj kërkoi nga kryetarja Rama-Shabani që gjyqtarët që kthehet nga pushimet apo nga trajtimet, si rasti i një gjyqtari që ka qenë për trajnim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të angazhohen menjëherë.

Zogaj si kryesues tha se në përgjithësi të gjithë kryetarët e gjykatave kanë dështuar në unifikimin e praktikës gjyqësorë në rastet e kontratave kolektive.

Në fund raportimi i kryetares Shabani-Rama për periudhën korrik-shtator 2024 u votua nga të gjithë anëtarët e KGjK-së.

Paraprakisht, kryetarja Rama-Shabani tha se në përgjithësi departamentet e kësaj gjykate kanë performuar mirë, por sipas saj, shqetësuese paraqitet situata e rasteve të parashkrimit absolut në Departamentin e Përgjithshëm-Divizioni Penale dhe në atë Kundërvajtës.

Të ngjashme