Zogaj-Gashi: Gratë, faktorë kyç në vendimmarrje

Prishtinë | 28 Tet 2016 | 13:41 | Nga

Instituti Demokraci për Zhvillim ka mbajtur konferencën, “Gratë e fuqizuara: Çelës për shoqëri të transformuara”, e cila organizohet në kuadër të Programit Transformimi i Konflikteve, që përkrahet nga Instituti Demokratik Kombëtar  dhe Misioni i USAID-it në Kosovë.

Qëllimi i kësaj konference ishte prezantimi i sfidave dhe rekomandimeve si rezultat i diskutimeve të realizuara me institucione dhe organizata të ndryshme, me gratë e komunitetit shqiptar dhe serb në Kosovë.

Ky takim ka trajtuar një temë me peshë të veçantë, duke e vënë në qendër të tij gruan dhe rolin e saj në shoqërinë tonë.

Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj, ka shpalosur disa nga të arriturat e këtij sektori, në mënyrë që të gjitha gratë, ta shfrytëzojnë potencialin njerëzor dhe intelektual të tyre, e në këtë mënyrë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Këtë vit, Qeveria e Kosovës ka marrë një mision të veçantë, në mënyrë që të zbatojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim që kap periudhën 2016-2021. Ne vlerësojmë se një synim i tillë mund të realizohet vetëm duke siguruar pjesëmarrjen dhe kontributin e gjithë qytetarëve, e veçanërisht të grave. Me iniciativën e Kryeministrit është bërë ligji për regjistrimin e patundshmërive, bashkëpronare edhe gratë”.

“Një nismë e mirë që pas aprovimit të Udhëzimit kemi disa trende të cilat janë pozitive, por dëshirojmë që ato trende të përmirësohen edhe më tutje. Andaj, ne si Qeveri kemi trajtuar jo rastësisht si prioritet strategjinë zhvillimore të miratuar në fillim të këtij viti, duke siguruar një rritje më të madhe të qasjes së grave në pronë dhe regjistrimin e pronës në emrin e tyre”, ka thënë ajo.

Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale, i kanë propozuar Qeverisë së Kosovës në fillim të vitit 2016 miratimin e një mase afirmative: “Udhëzimin Administrativ për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët, në emër të dy bashkëshortëve, pa pagesë”.

“Qeveria e ka miratuar këtë iniciativë duke e parë si faktor të rëndësishëm inkurajimin çifteve të reja dhe jo vetëm të atyre, që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të pronës në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi”.

“Mund të them se kemi bërë përpjekje të punojmë në përmirësimin e ambientit të biznesit, gjë e cila u tregua edhe në raportin e fundit të BB-së, e cila reflektohet në statistika të grave pronare të bizneseve, të cilat janë regjistruar në vitin 2015. Përderisa në vitin 2014 kanë qenë 17% te bizneseve gra. Sot gratë drejtojnë 24.5% të bizneseve dhe nuk ka asnjë arsye pse kjo shifër të mos jetë më e lartë në të ardhmen”, ka thënë Zogaj.

Ndërkaq ka shtuar se është dëshmuar si një model i mirë i qeverisjes, eliminimin e burokracisë, unifikimin e numrit të bizneseve, “pastaj kemi lobuar në të gjitha institucionet për përmirësimin e ambientit të biznesit.

“Gjatë viti 2015-2016 është bërë adresimi i të gjitha barrierave tregtare me vendet e rajonit. Është miratuar Ligji për Investimeve strategjike, një pjesë e legjislacionit që i ka munguar Kosovës, e që na vendos në rrafsh të barabartë me vendet fqinje. Gjithashtu duhet të përmend rritjen ekonomike, ku të gjithë indikatorët janë në përmirësim sipas FMN-së dhe BB-së, pastaj rritja e buxhetit si rezultat i luftës kundër evazionit fiskal etj”.

Sigurisht që fuqizimi i grave, më shumë se një qëllim, është një proces kompleks, i cili kërkon mbështetjen e të gjithë faktorëve, por mbi të gjitha vendosmërinë dhe vullnetin e vet gruas.

Gruaja duhet të jetë faktor kyç në secilin proces dhe vendimmarrje dhe jo në bazë të faktorit gjinor, por për shkak të kapaciteteve dhe profesionalizmit që ka dëshmuar ndër vite.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme