Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në një intervistë në emisionin tha se Rregullorja e re parasheh më shumë liri në administrimin e Departamentit Special dhe më shumë resurse, por përmes një filtri serioz.
“Do të ketë një derë me dalë dhe një për të hyrë, që do të thotë dështimi në realizimin e performancës dhe objektivave të Departamentit, do të jenë shkak për largimin e gjyqtarëve”, tha Zogaj.
Ai tha se kjo Rregullore do të miratohet në janar të vitit të ardhshëm dhe numri i gjyqtarëve do të shkojë në 12 apo 13 dhe se kjo nënkupton që dinamika e një rasti në Departamentin Special nuk do të varet nga vullneti individual i gjyqtarit, por nga planin i punës së Departamentit që ka gjykata në këtë rast.
Zogaj tha se Rregullorja e re për DS u hartua në dakordim me gjykatën dhe partnerët, në mënyrë të veçantë USAID, por ditëve të fundit ka një diskutim me zyrën e BE-së për disa çështje teknike.
Po ashtu, ai tha se ka dy vite që Departamenti Special ka një plan të punës që e ka ngritur nivelin e perfomancës së Departamentit, e cila ka një njohje të rezultateve edhe nga Raporti i Progresit në përfundimin e më shumë rasteve, por që presin performancë ndryshe të këtij Departamenti, pasi që në të trajtohen edhe krimet e luftës. /BetimipërDrejtësi