Zona qendrore e Gjilanit do të jetë e ndaluar për qarkullimin e veturave. Këtë e ka bërë të ditur të martën kryetari Lutfi Haziri në mbledhjen e bordit të drejtorëve.
“Zona urbane do të jetë prioritet i lartë i investimeve, që përfshihet rregullimi i trotuareve dhe standardizimi për personat me nevoja të veçanta, për çiklistët dhe për nënat me fëmijë. Qëllimi kryesor është që zonën urbane ta kthejmë në zonë qarkullimi pa vetura. Përfundimi i rregullimit të lumit Mirusha, Tregut të Gjelbër dhe punimet te Stadiumi i Qytetit, janë projekte që eliminojnë nevojën e qarkullimit me vetura”, ka thënë ai.
Sipas tij, pjesa më e madhe e projekteve të infrastrukturës tashmë janë të buxhetuara dhe se do të punohet në ndërtimin e rrugëve të reja, të cilat do të lehtësojnë qarkullimin e trafikut në këtë komunë. “Ndërtimi i rrugëve regjionale tashmë është i buxhetuar, pritet që Banka Evropiane për Zhvillim në fund të këtij muaji të konfirmojë investimet në rrugën Gjilan-Prishtinë me gjatësi prej 7.2 kilometrash. Do të vazhdojmë investimet në rrugën Gjilan-Bujanoc, në Rrugën e Kumanovës, në rrugën prej Livoçit të Ulët në drejtim të Kllokotit dhe rrugët e tjera që janë pjesë e investimeve. Kjo na jep lehtësim dhe krijon frymëmarrje që të kalohet në investime brenda zonës urbane”, ka thënë Haziri.