Humbje e rëndë për Barcelonën në Torino me rezultat 3:0 nga kampioni në fuqi, Juventusi i Italisë, në ndeshjen e parë të çerekfinales së Champions League.
Futbollisti Paulo Dybala ishte në formën më të mirë të mundshme dhe me dy golat e tij që realizoi në 45 minutat e parë tronditi kampionin e Spanjës. Në minutën e 7-të, Cuadrado me lëvizje mjeshtërore brenda 16-shit, pason deri te Dybala i cili nga një pozitë jo edhe aq të lakmueshme, godet me të parën nga rreth 8-9 metra dhe kaloi në epërsi “Zonjën e Vjetër”.
Në minutën e 22-të, një veprim i shpejt i kampionëve italian, kur Dybala pa menduar edhe aq shumë nga rreth 15 metra me një goditje sa befasuese aq edhe të fortë e mposhti portierin ter Stegen. Në pjesën e dytë, Juve shënoi edhe një herë dhe madje një gol jashtëzakonisht të bukur nga mbrojtësi Chiellini. Në minutën e 55-të, Pjaniç harkoi nga korneri, kurse Giorgio Chiellini nga rreth 9-10 me kokë godet aq bukur saqë portieri ter Stegen e ka shikuar topin se si funtet në këndin e djathtë, 3:0. Një fitore bindëse për Juven, e cila është kapital i madh për takimin e kthimit në Camp Nou.
Një fitore që e bën edhe me të qetë trajnerin e Juventusit, Massimiliano Allegrin. Në anën tjetër, Barcelona ka pësuar disfatë të rëndë dhe gjithnjë e më shumë ia vështirëson mundësitë për një kualifikim të mundshëm. Megjthatë, Barcelona është Barcelonë dhe mund të bëjë përmbysjen si e bëri me kampionin e Francës, PSG-në.
Barcelona e kishte përmbysur humbjen me 4:0 në Paris, duke triumfuar me 6:1 dhe kishte siguruar kalimin në çerekfinale. Por tash gjërat janë ndryshe, sepse Barcelona ka përballë një rival që ka mbrojtjen më të fortë në botë.
Gjithçka është e mundshme kur kihet për bazë se Barcelona ka sulmin më të mirë në botë me Lionel Messin, Luis Suarezin e Neymarin. Në fakt, Juventusi iu hakmor edhe për humbjen me rezultat 3:1 në finalen e vitit 2015. Juventusi edhe pse e ka epërsinë tani me 3:0, gjithçka është e hapur sepse Barcelona ka treguar qysh në rrethin e kaluar se ka forcë të bëjë përmbysjen.