Përurimi i Autostradës “Arbën Xhaferi”, bëri që në Kosovë të vijë edhe Kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev. Kryeministri maqedonas tha se këtyre ditëve do të hapin tenderin për të përfunduar autostradën nga Shkupi deri në Bllacë, e cila pritet të kushtojë mbi 110 milionë euro, raporton Ekonomia Online.
“Emri që përurohet sot është i një emri të madh siç është Arbën Xhaferi, njeriu që dha shumë jo vetëm për vendin tonë. Kjo është një rrugë moderne që e lidh rajonin dhe që na shtyn edhe neve që këto ditë të hapim tenderin për autostradën Shkup-Bllacë, më gjatësi 14 kilometra , me buxhet prej 110 milionë e 700 mijë”, tha ai.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kossnet, tha se ndihet i privilegjuar për pjesëmarrjen në përurimin e kësaj autostrade.
“Është një privilegj i madh të jemi këtu në përurimin e këtij projekti të madh i cili është punuar nga më shumë se 9 mijë punëtorë”, tha ai.
Në këtë përurim i pranishëm ishte edhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi dhe Kryeministri i Malit të Zi. Ndonëse ishin të ftuar, ftesës për këtë përurim nuk i janë përgjigjur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe as përfaqësues tjerë të ftuar nga ky vend.